• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

Rudolf Marku

...

Kontributor
LV
0
 

Rudolf Marku​

Rudolf Marku lindur në vitin 1952Lezhë, është shkrimtar e publicist shqiptar. Është fitues i çmimit "Kadare" për vitin 2015, për romanin e tij "Tre divorcet e zotit Viktor N." Me 1 Dhjetor te vitit 2020 Rudolf Marku eshte shpallur si Poeti i Pare Lauraet i Letersise Shqipe, titull te cilin ai do ta mbaje deri ne fundin e vitit 2020.


aaaaa-728x430.jpg
 

NJË MYSAFIR NË BALLKONIN E SHTEPISË​

Një zog prej betoni fluturon në rrathë mbi ballkonin tim,
Si një avion i vogël që do të sigurohet
Se ka plot vend për një ulje të sigurt,
Janë ditët e fundit që shoh prej këtu kodrat e Liqenit,
Përpara se një rrokaqiell në ndertim
Së shpejti pamjen ka për ta zhdukë.

Me zakonin e lashtë të qënjeve fluturuese
Përpiqet të këndojë. Nuk jam i sigurt nëse zhurma metalike
Vjen nga makinat poshtë apo është kënga e mysafirit tim,
Që rrëfen një histori të pa-realizuar dashurie,
Me një tërfil me pesë fletë, të humbur në rrokaqiejt modern.

Ka vite që nuk arrin ta gjejë të dashuren e vet,
Të gjithë i thonë se kanë vite që s’kanë parë një tërfil me pesë fletë,
Ndaj fluturon kuturu, si një i dënuar dantesk.

Ngrihet në ajër me vështërsi dhe ikën.
Derisa unë vë re tek e vona se si lulet te ballkoni
-Pesë a gjashtë vazo gjithësej-të gjitha vyshken.

Prej diellit afrikan të Korrikut
Ose prej historisë së trishtë të zogut prej betoni.
 

NJË LULE METALIKE​

Në ballkonin e Xhuljetës një lule metalike
Në qytetin e bukur Veronë /Valonë.
Romeo është inxhinjer mekanik,
Dhe mendja e tij çfarë nuk sajon!

Një lule metalike nuk ka nevojë të ujitet
Dhe as dielli e as ngrica nuk e prek.
Ndryshe nga fundi i palumtur i Shekspirit,
Këtë rradhë Dashuria triumfon përjetë.

Turistët vijnë nga kudo të joshur
Nga shkelqimi metalik në ballkon.
Nuk harrojnë të paguajnë një ebol të vetëm
Tek varkëtari i vjetër Karont.
 

NJË SHISHE NË DET​

Nga lartësitë e anijes transoqeanike,
Hedh në ujërat e errëta të natës një shishe-mesazh.

Brenda qelqit kam futur malin ku fëmijë ngjiteshim bashkë.

Në rrafshiren e largët, në një breg të tharë,
Dallgët do ta hedhin shishen te këmbët e tua.

Unë nuk e di,
Do ta marrësh atë mal të rëndë në duar,
Si mall a si një premtim të lashtë,

Kur ti të qash ?
 

ERDHEN ME HARTA, KOMPASE DHE KOSTUME TE SHTRENJTA​

Erdhen me harta, kompase dhe kostume të shtrenjta,
Fëmijët e lanë lojën me top. Macet u fshehen të tmerruara. Qent nuk guxuan te lehin;
Nuk i hoqën syzet e diellit. Hapen hartat e vjetra, nxorën kompaset
Dhe i shtrinë horizontalisht si shpatat nga milli. Me teh shumë të prehtë.
Panë nga shtëpitë tona të vjetra. Shtëpi ku jemi rritur,
Me puset në oborr, me dy rrrënj fiq në qoshe, me luleborat pranë pusit
Dhe me atë këndin e përhershëm ku loznin fëmijët,
Sepse shtëpitë tona kanë qënë gjithmonë të mbushura me fëmijë,
Me emërat e çuditsëhm, jo emërat që shënohen në rregjistrat e shkollës,
Por emërat tanë të vjeter që i dinin vec nënat tona, dhe motrat dhe vëllezërit,
Si një konspiraci kundër mësuesve të matematikës, Fizikës dhe stërvitjes ushtarake;
Erdhen me harta dhe kompasse dhe kostume të shtrenjta,
Shpalosën ca letra me vija gjeometrike si rrathë të Ferrit
Dhe filluan të flasin për të ardhmen tonë,
Ndërsa pas kurrizit të tyre qëndronin të gatshëm buldozerët;
Na lajmëruan të mos dëgjonim marrëzitë e poetëve
Që flasin për livadhe, për ajër të pastërt dhe për pemë të padobishme jo frutore,
Na thanë se tashmë jetojmë në kohnat moderne,
Na thanë se shtëpitë tona do të rrafshohen për tokë,
Se ne do jetojmë nëpër shtëpi të reja prralllore,
Në katin e dhjetë, të njëzet e pestë dhe të pesëdhjetë.
Jo për të qënë pranë qiellit, por sepse lartësitë japin gjumë të qetë,
Se janë kundër ëndrrave, sepse janë pranë Ferrit.

Edhe kur u larguan, macet nuk u kthyen në shtëpitë e vjetra,
Fëmijët harruan të loznin, veshën përnjëherë këpucët e reja
Dhe filluam të ëndërrojmë shtëpitë e larta me shumë, shumë kate,
Dhe kurr më në jetë askush nuk do t’i kujtojë më emërat e vjetër,
Si konspiracy kundër mësuesve të matematikës, fizikës dhe stërvitjes ushtarake.
 

DHURATË​

Një rreze dielli hyn në dhomën tënde të gjumit.

Siç ngre lart gjethet e lehta, tek leshojnë oksigjen,
Ashtu mban në ajër trupin tënd të lakuriqt.

Mos më thuaj pastaj,
Se unë nuk të solla asgjë këtë ditë!
 

NJË TRUP I LAKURIQT​

Një trup i lakuriqt në fushën me borë,
Si i bllokuar nga një trafik që nuk lëviz,
Ankthi i së përditshmes- rituali i zgjimit ,
Kafja e mëngjezit, kujtimi i yt që m’bën surprizë.

Ca flokë dëbore papritur fillojnë të shkrijnë
Si ngjyrat që përhapen në telajon e verbër ;
Është portreti im a i joti- të pambaruara mirë,
Brusha jote lëviz mbi telajo nga mijëra kilometër.

Ankthi i lakuriqt në fushën ku bie dhe bie,
Flokët e dëborës janë ndryshe nga flokët e gruas që humbet;
Nuk shtrohen flokët e dëborës me krehër a gishtërinj,
As nuk mund t’i japësh formën e flokëve të gruas që mban mend.

Antraktita u krijua nga humbjet e dashurive,
Lumturia kurr nuk përsëritet dy herë, që të kthehet pas.
O hapat e gruas që i dëgjojmë nga mijëra kilometra larg
Si mund të tingëlloni njëlloj në Ferr dhe në Parajsë?
 

SHENJAT​

Një hënë e përgjakur në qiellin e Londrës,
Në kohëra e dikurshme mbretërit do bënin gati ushtritë,
Kurse unë shkapërcej një nga urat e Tamizit
Dhe nuk shoh më lart nga qielli, sikur të kem frikë.

Futem në Park, pemët mbulojnë qiellin,
Një dhelpër vrapon t’i shpëtoj qenve që e ndjekin pas,
Nesër gazetat nuk do flasim për konfliket në Planet,
Ndërsa bbc-ja do na kujtojë një Paqe që nënshkruhet pas pak.

Por prapë nuk rri pa parë qiellin e përflakur,
Unë që njëherë qesha me shenjat e hënës që lexoheshin qartë,
Tek ecnim të dashuruar në një shteg me lule
Që na çonte drejt greminës, me urdhërin nga yjet lart.


POETËT​

E zvoglova dhëmbjen në lojën e tingujve të gjuhës,
Që kur trobadurët shkruan poezitë e para për Luftrat dhe Dashuritë,
Që kur Pjetër Bogdani pa me sytë e vet Birin e Njeriut
Në majen e Malit të Pashtrikut duke pritë.

Përherë e më të paktë po bëhën lexuesit e poezisë,
Përherë e më rrallë njerëzit harrojnë nga qielli t’i ngrenë sytë,
Poetët vazhdojnë të mbushin penën me bojën e dëshpërimit
Për të shkruar vargjet e tyre me alfabete yjsh.

E zvoglova dhëmbjen në lojën e tingujve të gjuhës.
Për Ju, që vetë e intononi gjuhën në një instrument muzikor;
Ju, që pëlqeni aq shumë muzikën e sferave qiellore,
Dhe prisni që astrologët të jenë lexuesit e vetëm në botë.
 

NJË PEMË NË MESIN E QYTETIT​

Kishin harruar një pemë në mesin e qytetit,
Dikush telefonoi urgjencen, numërin e frikshëm 999,
Një tjetër nxori celularin e markës më të fundit,
U kthye mënjëanë,
Dhe me po atë gjestin kur i telefon të dashurës fshehurazi nga gruaja e vet,
I telefonoi vetë Kryetarit të Bashkisë në numrin më secret ;
Një ushtarak në pension nxori medaljet nga sunduku,
Dhe pasi i çpluhurosi me kujdes, një nga një në gjoks i vuri,
Dhe me solemnitet i shkroi një letër gjeneralit të madh,
Ndërsa forcat e ndërhyrjes së shpejtë, me maska të zeza në fytyrë
E rrethuan pemën e harruar në mesin e qytetit,
Me manovrat më të fundit të taktikës së rrethimit të armikut të shtetit.

Ishte një pemë e pazhvilluar mirë, ç’është e verteta,
Nuk mund të thuash me siguri që nuk qe e painfektuar nga Covidi,
Qe fshehur mes ca ndertesave të reja, rrokaqiej të fundit
Dhe askush nuk e kishte vënë re,
Aq e vogël qe.
Një pemë kokëfort që nuk donte e nuk donte të pritej.
Sollën sharra elektrike, sëpata elektronike
Topa, nëndetëse, artilerinë e rëndë
Derisa ndoqëm në lajmet e fundit lajmin e gëzuar,
Se pema më së fundi qe rrëzuar për tokë
Se pema më së fundit ishte masakruar.

Dhe vetëm atëherë qyteti ra në një gjumë të qetë,
Në një gjumë të ngjashëm me gjumin e njeriut pa halle-
I patrazuar nga fantazmat e pyjeve dhe fëshfërimat e gjetheve
Dhe nga mundësia e tmerrit të daljes së milingonave në rrugë të madhe.
 
Back
Lartë