• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

Rita Petro

MOS E VRIT VETEN AS KËTË NATË​


Mos e vrit veten as këtë natë
Ti
Që çdo mesnatë e gjen shtëpinë
Zhytur në errësirë…
Ku e zeza dhe drita pikturojnë
Imazhet e tua surreale,
Lindur prej një truri të eksituar
Nikotine-alkoole-drogash…

Mos e vrit veten as këtë natë
Duaje vetminë tënde
Madhështore, të shurdhët,
Zhurmë-tingujsh dhe aromë-masturbimesh
delirante.

Mos
Mos e vrit veten as këtë natë!
Vetmia jote boheme është më e mirë
Se gënjeshtra që mban në një krevat
burrin dhe gruan,
Se pagjumësia e "liderit" pervers
Që ëndërron të shembë çdo ditë
nga një ëndërr tonën,
Se makthi i atij që fle
Mbi dyshek parash erëndyrë,
Spërkatur me Pure White Cologne.

Prit!
Para se ta pish dhe pikën e fundit të helmit,
Dëgjoje qarjen e saksit që vjen nga lokali poshtë
Klithmën e mbytur të seksit
Pas murit në të majtë,
Drithmën e celularit dritëmekur,
Kur vizatohet një zemër në ekran.

Asnjëherë s’je vetëm o Ti mik,
Që kërkon të shpëtosh veten nga errësira!
Jam dhe Unë këtu.
Jemi të Tjerë aty-këtu
Që vrasim natën me një gotë kokteji,
Ku pikëllimi përzihet
Me pak ëndërr
Pak shpresë
Dhe pak gjak cherry.

Mos e vrit veten, as këtë natë!
 

KËNGA E TURMËS​


Këndova këngën tënde turmë,
Më shumë se këngën time,
Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh nga
Manipulatorët.
Këndova në rreshtin e parë,
Por ti më vure para.

Të dua se je e vërtetë,
Je e përlyer, erëdjersë, erëhashash kundërmon,
Je ndjellëse, gojëpisët, e marrë, budallaqe,
Kokëkrisur, zemërplagë, gojështhurur,
Zëfortë, potente, vullkan, e pandalshme...
T’u dhashë ty trup e shpirt,
Po në vend të dashurisë
Më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë
Me gjithçka që të dilte përpara
Se në dorë t’i jepnin manipulatorët,
Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,
Se ç’kuptim do kishte jeta jote pa mua,
E imja jo e jo pa ty.

Dhe ja ku më ke,
Lakuriq para teje kam vendosur të jem,
Duke kënduar bukurinë e frikës nga mëkati
Kundër frikës që na mban mbërthyer në vend.


KURORA​


Kurora me gjemba
Mbet përjetësisht
Mbi kryet e Krishtit.

Kurora e lavdisë
Shëtit kokë pas koke
Te mëkatarët.

(Nga cikli "Metamorfoza e kohës"; 1998)
 

UNË, SIRENA​


Unë kam lindur sirenë
Shumë kohë më parë,
E dashuruar me
Princin e Detit,
Para Adamit dhe Eves.
Që ditën kur hapa sytë…
E pash
Me një bisht marramendës
Me luspa verbuese
Të argjendta e të florinjtë.
Ndërsa unë shfaqesha
Me një kurorë të gdhendur me guaska
Zbukuruar me korale e perla.
E hipnotizuar nga magjia
Sa s’mbaj mend sa gjatë
Jetova ashtu,
Deri atë mëngjes
Kur u zgjova me vegimin e tij
Që në një jetë tjetër
Dikur e kisha parë…
Mbi shkëmb të detit qëndronte
Çuditërisht i bukur
Me lëkurën e bardhë
E të lëmuar
Mes krahëve të hapur
Ai apo qe hija e tij?
Një shigjetë
Me harkun e tendosur
Mes këmbëve të hapura,
Këmbëve të mia,
Një zambak
Mrekullisht i çelur.
Asnjë bimë e lartë uji
Nuk krahasohej me të,
Për nga hijeshia
Gati sa nuk u çmenda
Nga dhimbja e mesit
Kur bishti
M’u nda në dy pjesë
U shndërruan në këmbë,
E mes këmbëve
Një lule gojëhapur mbiu.
Shigjetari im i bukur
Më goditi,
Pa lëshuar harkun…
Tani këmbët më çojnë vetë tek ai
E ditë pas dite
Çmendurohemi nga dashuria.
Unë një sirenë
Me një këmbë në shkëmb
E një këmbë në det
Ti një shigjetar
Aq i bukur e bujar
Që në heshtje më le
Me Princin e detit
Ndonjë natë të fle…
Vëllai im i bukur
Aq shumë më dhemb
Dhe më lumturon
Ndarja
Që molla
Në zemër me ty...
 

KENI PËR TË PARË​


Ju kam thënë
Unë do ta ndryshoj botën
Hipur mbi biçikletën time
Të kaltër
Që ecën me energjinë
E muskujve të mi.
Ju kam thënë,
Por babai ka qeshur
Edhe mamaja,
Më tepër im shoq,
Vajza tallet me minifundin tim,
Ndërsa miqtë e mi
Ngrenë dolli
Për marrëzitë e mia.
Unë do ta ndryshoj botën
Keni për të parë!
Zoti më ruajtë
Veç nga skleroza

Sa për rrezikun
Atë e kam veshur
Drejt e në trup
Si një JELEK ANTIPLUMB.


GJARPNI QË VALLËZON​


Sa qejf kam me pà, o e ngeshmja ime,
që trupit tand kaq t'bukur
Porsi ndo'i stofë shkëlqyese
t'i xixëllojë lëkura!

Ndër flokët e thellë
me erna t'athta,
Det kundërmues e bredhanjok
me dallgët blu a të murrme.

Si ndo'i anije
me puhinë e agut
Shpirti im andrrimtar
niset për nji qiell t'largët...
 
Back
Lartë