Agjenti i De Gea, Jorge Mendes, ka kaluar disa javë për të negociuar një marrëveshje, që do t’i lejonte spanjollit të braktiste “Old Trafford” dhe duket se një akord është arritur tani. Pra, bëhen hapa përpara në këtë drejtim. Florentino Pérez e dëshiron portierin dhe do ta sjellë në “Bernabeu” me çfarëdolloj çmimi.
Kjo, edhe për të mbajtur premtimin e tij. Kësaj here duket se De Gea do të veshë fanellën e bardhë, nga sezoni tjetër. Oferta është propozuar në tryezën e bisedimeve dhe Jose Mourinho duket se ka thënë “po”. Një operacion 100 milionë eurosh, që Real Madridi do ta trajtojë si më poshtë:
“Objektivi numër një për portën është David de Gea. Real Madridi do të paguajë 100 milionë për të, duke përfituar nga shitja e James Rodriguez te Bayern Munich për 55 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për të realizuar transferimin e portierit të Manchester United”, – shpjegon Eduardo Inda në “El Chiringuito”. De Gea do të jetë i pari, por jo i fundit. Real Madridi i ri është duke u zhvilluar.