• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

“Për Edi Ramën, PS-në dhe dy motrat e mia që nuk i njoha kurrë”

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
LV
0
 
Nga Agim F. Dalipi

Shtatëdhjetë e pesë vjet më, gjatë operacionit të qershorit, dy motrat e mia qanin mbi trupin e vdekur të nënës së masakruar me mortajë nga gjermanët. Në të njëjtën kohë disa qindra metra më tej shtëpia jonë ishte në flakë me gjithçka që kishte brenda.

U vra nga trupat gjermane se ishte sekretare e organizatës së Gruas Antifashiste dhe vendin ku ishte fshehur me bashkëfshatarë të tjerë e përcaktoi saktë në hartë një ballist që së bashku me ballistë të tjerë udhëhiqte trupat naziste ndërsa im atë luftonte diku larg me gjermanët dhe nuk arriti as t’i varroste.

Motrat e mia ndërruan jetë pas pak kohësh nga mundimet e tmerret e luftës dhe ishin njëra dy e tjetra katër vjeç.

Ai ballisti jetoi dhe nja dyzet vjet të tjera (e kam njohur kur u rrita) dhe nuk e di nëse atë ditë ishte “pa armë e pa uniformë” apo i kishte të dyja. Kurse unë nuk arrita as t’i njihja motrat.

Kjo është një nga ato shumë histori të dhimbshme të shqiptarëve gjatë luftës ku të vrarët e saj Akademia e sotme e Shkencave i “klasifikon dëshmorë, martirë e viktima” dhe do t’i seleksionojë në atë konferencën që do të mbahet për 75 vjetorin e çlirimit, sepse duket se paska shumë që nuk e meritojnë derisa “akademikët” kanë marrë përsipër t’i kontrollojnë një nga një.

Në verën e vitit 2016, pasi kisha bërë një shënim të shkurtër për z. A. Alimadhi, një ballist modern sipas “trendit evropian” të Akademisë (dhe sot deputet!? ) për disa pretendime të tij “nacionaliste”, ndodhi që i ndjeri A.Stefani, botoi në “Dita” , një pjesë nga libri i tij “Revolucioni i maskuar” me një titull “Një luftë në kurthin midis dy diktaturave”.

Bëra një replikë me të (Balli dhe lufta – Dita – 9 gusht 2016). U mundova të bëja, jo një avokati të Luftës së madhe Antifashiste sepse, veç atyre që mundohen ta bëjnë të zezën të bardhë, gjithkush që ka një minimum njohjeje të kësaj Lufte e jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën (përjashtuar Akademinë tonë të Shkencave) por për të treguar, me aq sa janë mundësitë e mia si një njeri i thjeshtë, se që në nismën e themelimit të Ballit, “për realizimin e idealit të lartë kombëtar” të gjitha pikat e këtij Dekalogu fillonin me fjalën “luftojmë”.

Por në jetë, përjashtuar disa veprime luftarake balliste që nuk kanë pse të hidhen edhe ato poshtë, gjithë veprimtaria politike e luftarake e kësaj organizate “kombëtare” , përjashtuar ndonjë episod të rrallë, mbeti në atë copë letër.

E lamë me të të pinim një kafe, por jeta nuk e la dhe kafen nuk e pimë dot. Këtë ngjarje të familjes sime që tregova më lart do t’ia kisha treguar Stefanit dhe pastaj do t’i kërkoja të ma shpjegonte edhe një herë atë që kish thënë se: “me njerëz të shtypur nga diktatura, liria e Atdheut është si një lëvozhgë e zbrazët, një mashtrim, një sharlatanizëm” dhe “sa të lirë ishin shqiptarët të mos bënin atë që bënë?” kur morën armët e dolën në luftë.

Të mos e bënin!? Mos vallë kjo është “ideja shkencore” e Akademisë për antifashizmin “popullor“? Kjo do të thotë se ata që ndenjën në shtëpi “me ndjenja antifashiste” dhe ata që, siç thotë Stefani “të ndodhur në kurth mes dy diktaturave, nacionalistët … u shtynë nga nevoja të bashkëpunonin me forcat e një diktature kundër një tjetre” kanë më tepër të drejtë se ata që morën pushkën e luftuan okupatorin?

Në Dita, në një letër të hapur drejtuar kryeredaktorit A.Thano, profesor Paskal Milo shkruan se “Para disa vitesh, menjëherë pas ardhjes në pushtet, Edi Rama u shpreh për krijimin e një instituti për studimin e historisë së LANÇ-it. Si shumë premtime të tjera, edhe këtë e mbuloi pluhuri i harresës” Por të paktën paguajmë institutin e Tufës që i nxori të gjithë partizanët, edhe ata të rënë në luftë si kriminelë.

Më tej Milo pyet: “Si është e mundur që ata pajtohen e nuk revoltohen me një masakrim të tillë që po i bëhet LANÇ-it, që është gur themeli i partisë së tyre?”. Dhe Milo nuk është i vetmi që e thotë këtë.

Por a është lufta Antifashiste vërtet gur themeli i Partisë Socialiste?

Dhe a është kjo parti, që quhet e vetëquhet e majtë, ajo që ka qenë para dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh? Sa “socialistë” janë ata që janë sot shumicë në qeveri apo strukturat e partisë?

Së pari duhet thënë, **** me forcë, se në Shqipëri nuk ka kryetarë partish. Kemi vetëm parti KRYETARËSH. Kjo ndodh edhe me partitë e mëdha që kanë shumicën e elektoratit e deri te partizat që mezi mbushin një tavolinë kafeneje.

Nuk ia vlen mundimi të marrësh shembull Partinë Demokratike ku autarkia e kryetarit ka qenë e është më se e dukshme ku, edhe te deputetët e “dorëhequr” nuk kishte asnjë nga 338 themeluesit e asaj partie dhe disa u hoqën me lezet, disa u lanë mënjanë e deri te ndonjë vdekje e “papritur”. Po kështu edhe te partitë e tjera.

Por duket se kjo i ka ngjarë tashmë edhe Partisë Socialiste. Edhe në faqen e internetit të PS, rrjetet sociale e aq më tepër në ERTV del e hyn vetëm Rama. A ka struktura kjo parti ku diskutohet se çfarë rruge ndjek Partia për të përmbushur programet e saj? A ka kolegjialitet? Kush janë njerëzit që debatojnë në strukturat e partisë që pastaj (bashkë me të ashtuquajturin mendim ndryshe) e të vendosin me shumicë votash siç e kërkon demokracia e brendshme e formacioneve politike?

Mbledhjet e Asamblesë bëhen por në faqen PS.al gjen fjalën e Ramës jo aty por para mediave. Kaq. Çfarë u tha e çfarë u diskutua nuk e gjen dot. Sa për “mendimin ndryshe” e gjen vetëm në projekt statutin e FRESSH por jo në statutin e Partia Socialiste.

Nëse në kryesinë e PS gjen disa figura “të vjetra“ prej dhjetë vjeçarësh në parti, në sekretariat gjen njerëz që deri vonë duket se nuk kanë patur lidhje me të, po ashtu edhe në qeveri dhe duhet ta marrësh me mend se për çfarë meritash politike janë në ato poste. Ndofta për profesionalizëm por prapë nuk më mbushet mendja që ai djali kosovar të ketë ndonjë lidhje me PS sado i zoti të jetë.

Nuk di dhe ndofta nuk më takon të diskutoj a kanë këta njerëz ndonjë lidhje me Luftën antifashiste apo çfarë mendojnë për të. Por di të them se në programin e partisë nuk del askund LANÇ. Në programin e partisë, pjesa “Trashëgimi e rivlerësuar“ merret vetëm me monumentet e kulturës, natyrore etj. Lufta antifashiste nuk hyn në trashëgimi!? E as e rivlerësuar sepse rivlerësimin ia ka lënë në dorë Akademisë.

Edhe veteranët e dëshmorët e kësaj lufte, në program dalin vetëm për trajtime financiare dhe ku merret angazhim: Buxheti i shtetit do të parashikojë shpenzimet e nevojshme për ruajtjen, restaurimin dhe mirëmbajtjen e simboleve të historisë së LANÇ, si muzetë, Varrezat e Dëshmorëve, monumentet, bustet, lapidarët, pllakat përkujtimore, etj. Respektim i emërtimeve të rrugëve dhe objekteve sociale, kulturore, ekonomike etj, që na rikujtojnë vlerat dhe historinë e LANÇ. Kremtim me nderimet e merituara të datave e ngjarjeve në periudha të ndryshme të historisë dhe Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ).

Nuk di se çfarë ka restauruar qeveria apo ngritur ndonjë përmendore për heronjtë apo për vetë luftën. Ndofta quan kampin “Aushvic” të Tepelenës apo nderimet për Mit’hat Frashërin, në rivarrimin e të cilit Edi Rama mbajti një fjalim panegjirik të tërë për të ku e quan “sqimatar me nam dhe burrë elegant me damkë” por pa përmendur as periudhën e Luftës e as Ballin Kombëtar dhe merr përsipër “koha pastroftë më tutje baltën që më së pari, i nderuari shqiptar buzëhollë Aurel Plasari dhe unë mesa munda, filluam t’ia pastrojmë sot”.

Mit’hat Frashërit askush nuk ka të drejtë t’i mohojë meritat që vërtet nuk i ka të pakta por, këta “buzëhollët” duhet t’i venë në “kandar” edhe bëmat e Balli ku pat qenë kryetar. Sepse, vetëm dokumentet e cituara në Dita nga i nderuari F. Çaushi për bëmat e Ballit gjatë Luftës Antifashiste dalin e teprojnë.

Ndërsa për ngritjen e ndonjë monumenti për dëshmorët as që bëhet djalë dhe u zëvendësua me atë memorialin e dëshmorëve turq që u vranë në të ashtuquajturin “grusht shteti” në Turqi e të cilin u mundua pa sukses ta përligjte Erion Veliaj sepse “nuk është tradhti dhe se nuk i prish punë asnjë njeriu, pasi Tirana ka vend për të gjithë.” Ndofta nuk i prish punë shqiptarëve të venë edhe ata që u vranë në Kinë nga protestat dikur në sheshin Tienanmen të Pekinit apo në ndonjë shtet të Afrikës ku po vriten përditë.

Por kush janë këta njerëz, çfarë i lidh me Shqipërinë se mund të jenë heronj e dëshmorë në vendin e tyre gjë që nuk na takon ne ta vlerësojmë dhe as t’i nderojmë me këtë memorial. Mund vetëm t’iu bëjmë nderime në vendin e tyre, në varrezat e tyre në ato ceremonitë protokollare kur shtetarët tanë do të bëjnë vizita zyrtare në Turqi. Vetëm kaq.

Që nuk është vendim i Veliajt kjo merret vesh se për gjëra të tilla nuk bën dot me kokën e vet. Ndofta ky memorial, krejt i panevojshëm, tepër i diskutueshëm dhe i gabuar vjen si qokë nga ato vizitat enigmë të Ramës tek Erdogani në rezidenca verore apo dimërore. A ka ndonjë para midis, tender a koncesion, këtë nuk e di. Diçka duhet të ketë.

Por te liqeni apo kudo qoftë nuk ka vend për një memorial për të gjithë dëshmorët e Luftës Antifashiste aq sa janë dhe jo me “rikualifikimin” që do të bëjë Akademia, por ashtu siç i ka gjithë bota e të mos harrojmë as lapidarët e varrezat tona të dëshmorëve që iua thyen pllakat përkujtimore e iu dhunuan edhe varret sepse edhe familjarët ngrenë anës rrugës përkujtimore për të afërmit që i ka përplasur makina e jo më për ata që lanë jetën kundër okupatorit.

Ndofta kjo është Shqipëria që duan “buzëhollët” por jo gjithë shqiptarët. Sa për respektimin e emërtimeve me heronj e dëshmorë na del përpara heqja e emrit të Qemal Stafës nga stadiumi i i ri i Tiranës.

Partia Socialiste nuk është ajo që u themelua e deri në 2005. Ndofta misioni i saj mbaroi në atë vit sepse pasi kaloi represionin e Berishës (të mos harrohet 1994, 1996, 1997, grushti i shtetit 1998) bëri që të kthejnë shtetin e vendin, pavarësisht gabimeve, në një normalitet të pranueshëm. Ndofta që atëherë duhet të kërkonin ndryshimin me objektiva e kërkesa të tjera. Ndofta duhej të bëhej “katarsis” por jo të merrej me “lavatriçe”, mund të vinte gjak i ri me mendime të reja mbi bazat e hedhura nga Dritëro Agolli, Moikom Zeqo me shokë, por jo puthadorë të kryetarit apo atyre që mbledh ai rreth vetes. Se nuk bëhet fjalë vetëm për të rregulluar partinë por se çfarë duhet të bëjnë kur vinë në pushtet.

Në 2013 Rama kërkoi gjithë “tepsinë” dhe ia dhanë jo vetëm për atë që thuhet shpesh se “të paktën ky punon” por edhe së tepërmi nga Gërdeci, 21 janari e nga keqqeverisja e Berishës. Kjo nuk ka ardhur nga që socialistët, siç thotë Paskal Milo “janë dele, vihen në rresht e shkojnë të votojnë”.

Ndoshta i takon më tepër atyre që mban Rama rreth vetes në parti e qeveri, por ata që e votojnë janë shqiptarë që duan vendin e tyre të qetë, me punë e përparim. Pa të hedhur në erë në Gërdec e pa u vrarë në bulevard. Nëse në mandatin e parë u bënë disa zgjedhje e vendime edhe disi radikale si moratoriumet për gjuetinë e pyjet, zbatimi i ligjit anti duhanit, pagesa e energjisë etj.., asgjë nuk u bë për dënimin e fajtorëve duke pritur që të mbarojë vetingu. Dhe thuajse asgjë për Luftën Antifashiste veçse lënia “azat” e Tufës që të shpallte luftëtarët si kriminelë.

Por ndofta lepuri fle në vend tjetër. Ndërsa në vitin 2013, sidomos para zgjedhjeve, bëheshin takime me veteranë të luftës e familjet e dëshmorëve dhe premtohej se nderimi për ta do të ishte i përhershëm, këtë vit në 5 maj, kryeministri Rama u foli më tepër për atë se çfarë do të bëjë Partia e tij (kur?) dhe për “gjakun e pafajshëm të derdhur“ pas lufte se sa për dëshmorët.

Këto rreshta nuk janë analizë, as për Edi Ramën dhe as për Partinë Socialiste. Duhet shumë më tepër njohje për ta bërë këtë punë. Janë thjesht disa mendime të miat personale. Dhe unë nga natyra dhe nga ato që kam mësuar kam bindjen se njerëzit ndryshojnë. Kjo vlen edhe për Ramën. Këtë e them në raport me Luftën Antifashiste dhe ata që e bënë me të vërtetë dhe jo nga ata “pa armë e pa uniformë”.

Por, qofsha i gabuar kur them se Rama në këtë drejtim nuk ka ndryshuar. Le t’i referohemi një botimi, “Refleksione” që ka botuar me të ndjerin A. Klosi në vitet e para të ndryshimeve ku ata të dy shprehin edhe pikëpamjet e tyre për çështje të historisë së Shqipërisë së kohës së Luftës së Dytë Botërore. E zeza mbi të bardhë ajo luftë “duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste” dhe “një dëshirë e pakontrolluar për pushtet; pikërisht tek ajo që siç thamë më lart i shtyu komunistët në 1942-43 të nxisnin luftën civile”.

E më tej, gjaku i dëshmorëve të LANÇ nga ky kryetar i Partisë së sotme Socialiste, që vë kurora me lule çdo 5 Maj dhe 29 Nëntor, quhet gjak i rremë. Në hyrjen e librit Rama dhe Klosi shkruajnë: “U ulëm të zbërthenim mitologjinë e 28 mijë dëshmorëve. Gjaku i rremë në themel të kolltuqeve nisi tërmetin“.

Pra nuk janë vetëm “Tufat” e institutit apo Alimadhët e Ballit që “po rivrasin të rënët”. Është dhe kryeministri e kryetari i Partisë së sotme Socialiste, por dhe ata që në atë parti heshtin e heshtin për ndonjë post apo ndonjë tender.

Rama e ka ditur se një qasje të tillë ndaj luftës Antifashiste nuk mund ta bënte hapur e menjëherë duke iu ruajtur opinionit publik si në rastin e heqjes së emrit të Qemal Stafës nga stadiumi “për trend evropian “ siç thotë Akademia. Jo për nderim ndaj “sovranit” apo historisë tonë por për votat e tyre duke shfrytëzuar edhe bjerrjen e pandalshme të Partisë Demokratike dhe ato martesat morganatike katër vjeçare (me kontratë) të LSI.

E filloi me nga pak e me nga pak atë “U ulëm të zbërthenim mitologjinë e 28 mijë dëshmorëve. “Në fakt, nga një i djathtë që e larguan apo u largua nga Partia Demokratike, arriti në krye të një partie të majtë dhe të bënte tjetërsimin e saj ku mendimi ndryshe duket se ka vdekur dhe heshtja është kthyer në “pjesëmarrje në debat”. E këtu nuk vlen ndonjë flakë kashte si ajo e Erion Braçes për emrin e Qemalit në stadium.

Nuk di të them se çfarë roli e çfarë misioni i ka caktuar vetes Rama dhe partia e tij e sotme. Por di të them se dëshmorët nuk janë vetëm ca emra e ca shifra. Nuk janë “mitologjia e 28 mijë dëshmorëve” siç shkruan Rama sepse ishin ata e jo kolaboracionistët e kuislingët, që i dolën për zot vendit jo nga vilat qeveritare në bregdet e as bënë vizita në rezidenca qeveritare të të huajve.

Ata janë, si dhe partizanët e tjerë që luftuan okupatorin, një vlerë e madhe kombëtare, shprehja më e lartë e ndërgjegjes së kombit që vunë deri jetën në çlirimin e atdheut. Mirënjohja, nderimi e respekti për ta është detyrë e çdo atdhetari sepse gjaku i tyre (jo “gjak i rremë” por më i pastri gjak shqiptari ) është në themel të këtij vendi, edhe në atë koshin e basketbollit që mban Rama në zyrë.

Prandaj të mos i rivrasim të rënët.


Motrat e mia pak ditë para vdekjes




*

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm, pa lejen me shkrim të redaksisë
 
Back
Lartë