• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

Misioni i pamundur dhe disa dokumenta për LANÇ nga arkiva gjermane

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
LV
0
 
Dr. Marenglen Kasmi

Si tani një vit më parë, kam shkruar në gazetën tuaj se, prishja e Marrëveshjes së Mukjes nga Enver Hoxha dhe mos dakordësimi i tij dhe forcës politike që ai drejtonte me platformën që propozoi Balli Kombëtar i Mit’hat Frashërit në Mukje, në fillim gushtin 1943, shërbeu si “detonator konflikti” dhe kristalizoi përfundimisht armiqësinë e dy partive politike ndaj njëra tjetrës.

Ndonëse pas mëse shtatëdhjetë e kusur vitesh, kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit vitin e shkuar në atdhe, shërbeu përsëri si një “detonator”, por kësaj radhe jo me pushkë në dorë përballë e përkrah pushtuesit, por me penë e përplasje këndvështrimesh historike e politike. Të mos keqkuptohemi! Që diskutohet për Luftën nuk është gjë e re, madje është mëse e nevojshme. Risia në këto zhvillime është se procesi i revizionimit të historisë së luftës ka hedhur një hap më tej. Pyetja që shtrohet është, a përbën antikomunizmi një vlerë përgjithësuese që shumëzon me zero gjithçka, përfshirë edhe bashkëpunimin me nazizmin? A mund të rehabilitohen dhe nderohen formacione luftarake që vepruan e bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë, cilado qoftë arsyeja e këtij bashkëpunimi? Cila është natyra e luftës së shqiptarëve në këtë periudhë, luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare apo një luftë civile e zbatuar nga Enver Hoxha nën udhëheqjen e jugosllavëve?

Antifashizmi është vlerë që pranohet nga shumica, madje edhe nga “historianë”, të cilët investohen qartazi kundër së vërtetës historike. Por, për ta ndryshon puna kur vjen fjala te antifashizmi shqiptar! Sipas logjikës së tyre, lufta e shqiptarëve ndaj së Keqes (lexo Nazifashizmi dhe bashkëpunëtorët e tyre) ishte e keqe. Kësisoj, ata e përkufizojnë luftën ndaj të Gabuarve (lexo bashkëpunëtorët e Nazifashizmit) si një gabim dhe jo si një luftë ndaj së Keqes dhe së Gabuarës. Gjithmonë sipas kësaj logjike, Lufta Antifashiste ishte e “keqe” dhe e “gabuar” sepse u shndërrua nga komunistët në një luftë civile, duke mos luftuar kundër pushtuesve, por vetëm kundër kundërshtarëve të brendshëm – çka është një e pavërtetë historike. Pra, natyra e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit tentohet të njësohet, me natyrën e drejtuesit të kësaj lufte, Enver Hoxhës ose forcës politike që e drejtoi atë, Partisë Komuniste (Punës) në vitet 1944-1990.

Këto dy fenomene duhen ndarë nga njëra-tjetra. Nëse flasim me shifra, nga viti 1941 deri në vitin 1944, numri i komunistëve pjesëmarrës në LANÇ shkonte nga 2400 deri në 3600 anëtarë partie, pra rreth 4-6% të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kështu që, kjo nuk mund të ishte një luftë vetëm e komunistëve, por një luftë e gjithë popullit shqiptar kundër pushtuesit, siç ishte edhe lufta e shumë popujve të tjerë.

Deri në vitin 1990 ka plot gjëra që janë interpretuar njëanësisht. Por, kjo nuk do të thotë që duhet bërë një përmbysje e gjithë historisë së shkruar në këtë periudhë. Madje mund të themi me bindje të plotë shkencore se, me hapjen e arkivave të huaja, aspekte të caktuara të kësaj lufte, siç është për shembull bashkëpunimi me pushtuesit, jo vetëm që nuk mund të vihet në dyshim, por përkundrazi është mëse i faktuar historikisht, gjë që e ngarkon me përgjegjësi politike krahun nacionalist për politikën e dështuar që ndoqën gjatë luftës. Po ashtu, nuk mund të vihet në dyshim që në raste të caktuara, e kryesisht në fund të luftës, lufta u përdor nga Enver Hoxha edhe politikisht.

Nëse vlerësojmë zhvillimet politiko-ushtarake të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, arrijmë në përfundimin se lufta e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në tërësinë e saj një luftë antifashiste nacionalçlirimtare, e drejtuar kundër pushtuesve të huaj, ndonëse kryesisht në fazën e fundit të saj, shfaqen në raste të veçuara edhe elementë të një konflikti civil, ose lufte për pushtet. Nisur nga përkufizimi i luftës civile, mund të themi se, në një vend të pushtuar nuk mund të ketë luftë civile, e sidomos atëherë kur njëra palë pjesëmarrëse në konflikt, bashkëpunon dhe mbron interesat e pushtuesit. Pas pushtimit gjerman, antagonizmi në rritje ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste u bë një nga faktorët kyç për politikën gjermane në Shqipëri. Të dyja këto forca politike kërkonin me çdo kusht të vinin në pushtet pas lufte. Premtimet e gjermanëve, që pushtimi ishte një pasojë e pastër e nevojave ushtarake, lidhur me garancinë e një Shqipërie të pavarur, zgjonte te nacionalistët shqiptarë shpresën për realizimin e një politike të brendshme dhe të jashtme relativisht të pavarur. Edhe besimi se gjermanët do të shkatërronin lëvizjen komuniste – çka ata për hir të së vërtetës thuajse e arritën në dimrin 1943-1944 sepse e vendosën ushtrinë partizane në një pozicion shumë të vështirë – ishte një arsye jo e paktë e nacionalistëve shqiptarë për të pranuar këtë realitet. Jo më kot në këtë periudhë pason edhe bashkëpunimi në masë i Ballit Kombëtar me pushtuesit gjermanë. Sipas bindjes së tyre, sido të vinte puna, ata do të kërkoheshin pas lufte sepse kishin merita në themelimin e shtetit shqiptar. Kështu kishte qenë gjithmonë prej vitit 1912. Por këtë radhë lufta i kishte ndryshuar gjërat.

Revizionimi i historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, përkrah interesave fisnore e familjare për tjetërsimin e saj, furnizohet “me municion” edhe nga politika pothuajse tridhjetëvjeçare shqiptare. Një ndryshim i historisë së luftës, tentohet të shitet si një shkëputje nga trashëgimia e antifashizmit të dominuar nga komunizmi, duke përmbysur në këtë mënyrë ekzistencën e periudhës së socializmit në Shqipëri, me qëllim ndërtimin e një narrative kombëtare për konstruktin delikat demokratik që ka Shqipëria sot. Parë në këtë këndvështrim, politika shqiptare mundohet që në dukje të reflektojë lidhjen e saj me vlerat politike të antifashizmit, ndërsa nga brenda saj rehabilitohen ish-bashkëpunëtorë të nazizmit, duke u veshur atyre petka antifashiste. Kësisoj, diskreditimi i qëndresës komuniste ndaj antifashizmit i hap rrugën rehabilitimit të bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Në këtë kuadër fiton një rol të veçantë edhe demonizimi i komunizmit dhe historisë 50-vjeçare të socializmit në Shqipëri, çka duhet të tregojë si jashtë edhe brenda Shqipërisë, se jemi ndarë përfundimisht nga e kaluara komuniste.

***

Më poshtë do të japim të përkthyer dy dokumente nga Arkivi Ushtarak (Militärarchiv) Freiburg, Gjermani që hedhin dritë pikërisht mbi organizimin e operacioneve ushtarake të ushtrisë gjermane ndaj Ushtrisë Nacionalçlirimtare, konkretisht kundër brigadës së Mehmet Shehut si edhe rolin dhe rëndësinë që kishte pjesëmarrja e çetave të Ballit Kombëtar në këto operacione: “Më 26.10 Cakrani njoftoi divizionin [div.100 këmb. malore] se, ai kishte marrë urdhër nga drejtuesi më i lartë i organizatës së tij, Midhat Frashëri, […], që të luftonte hapur kundër komunistëve në krah të gjermanëve, e sidomos kundër brigadës së Mehmet Shehut dhe kundër Myslim Pezës” – shkruhet ndër të tjera në dokumentin e mëposhtëm.

Ndërsa në dokumentin tjetër sjellim shtojcën e urdhrit të komandës gjermane për përgatitjen e “Operacionit 505”, kundër ushtrisë partizane në rajonin Arbanë-Durrës-Kavajë.

Sa i përket dokumentit të parë, vërejmë se fill pas luftimeve të brigadës së parë kundër forcave gjermane dhe balliste në qytetin e Lushnjës më 24 tetor 1943, komanda e divizionit 100 të këmbësorisë malore merr vendimin që “trupat gjermane në rajonin e Lushnjës, të nisen menjëherë për në vendqëndrimin e Mehmet Shehut dhe të sulmojnë dhe dëbojnë me të gjitha forcat atë dhe bandën e tij, kudo që t’i hasin”. Siç lexojmë më poshtë, në këtë operacion një rol të veçantë duhet të luanin forcat nacionaliste: “Në kuadër të realizimit të këtij plani sulmi, miqtë nacionalistë shqiptarë kanë për të plotësuar detyrat e mëposhtme”, shkruhet në pikën e dytë të këtij plani. Ky dokument qartëson faktin që forcat e Ballit Kombëtar jo vetëm që bashkëpunonin me pushtuesin, por po ashtu zinin një rol të rëndësishëm në planet e tyre.

Po kaq domethënës dhe shpjegues për situatën e tetorit 1943 është edhe urdhri i komandës së këtij divizioni për organizimin e “Operacionit 505” në zonën e Arbanës. Sipas vlerësimit të kësaj komande, përvoja e deriatëhershme në luftën kundër partizanëve, duke synuar asgjësimin e tyre me forca të shumta, kishte dështuar. Taktika e ndjekur nga ushtria partizane dhe zhdërvjelltësia e tyre, kërkonte hartimin e teknikave të reja të luftimit, që u konkretizuan në kryerjen e operacioneve me pjesëmarrjen e shumë forcave, deri në nivel kompanie e batalioni, që vepronin në drejtime të ndryshme. Qëllimi i këtyre operacioneve ishte rrethimi i forcave partizane dhe asgjësimi i tyre. Këto operacione, të zhvilluara në dimrin e vitit 1943 dhe verën e vitit 1944, historiografia shqiptare i ka emërtuar operacioni i dimrit dhe ai i qershorit, ndonëse sikurse thamë, në vetvete këto veprime ishin më shumë se një operacion.

Me fillimin e shirave të vjeshtës, komanda gjermane arriti në përfundimin se moti i lagësht dhe terreni i vështirë dhe pa infrastrukturë të përshtatshme, nuk e favorizonte një zbarkim të mundshëm të forcave aleate në bregdetin shqiptar. Kështu që, vëmendja duhej të përqendrohej në luftën kundër ushtrisë partizane, e cila qysh në ditët e para të pushtimit ishte kthyer në një problem shqetësues për ta. Gjithmonë sipas kësaj komande, moti i vështirë favorizonte trupat e stërvitura malore dhe jo partizanët. Në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm në asgjësimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishin edhe forcat e Ballit Kombëtar. Ishte detyrë e tyre që pasi të pastroheshin zonat e territoret nga elementët komunistë, ato të mbaheshin në ruajtje nga Balli Kombëtar, me qëllim që të orientonin popullsinë drejt tyre dhe ushtria partizane të mos kishte mundësi të hynte më në këto zona: “Për të arritur një paqëtim afatgjatë në zonën e pastruar pas përfundimit të 505-ës, është e një rëndësie të veçantë që popullsia e atjeshme të organizohet nga forcat nacionaliste dhe të armatosen për vetëmbrojtje ndaj ndonjë tentative të re të komunistëve për të hyrë në këto zona”, planifikonte komanda gjermane.

Përvoja tregoi se ky ishte një përfundim i gabuar i ushtrisë gjermane. Sa më shumë ashpërsoheshin operacionet gjermano-balliste ndaj popullsisë dhe bazave të ushtrisë partizane, aq më shumë shtoheshin radhët e luftëtarëve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Le të shohim më poshtë dokumentet:



Dokumenti 1

O.U., më 27.10.1943

[O.U. – Ortsunterkunft, – Vendstrehim, ky shkurtim përdorej shpesh nga ushtria gjermane dhe tregon që trupat ishin të strehuara në kushte të mira. Për arsye sigurie nuk tregohej vendndodhja e saktë – shën. im]



Plan për asgjësimin e bandës komuniste të Mehmet Shehut në rajonin e Belshit



  1. Trupat gjermane në rajonin e Lushnjës, do të nisen menjëherë për në vendqëndrimin e Mehmet Shehut dhe do të sulmojnë dhe dëbojnë me të gjitha forcat atë dhe bandën e tij, kudo që t’i hasin. Detyra e tyre kryesore është lufta në sulm.
  2. Në kuadër të realizimit të këtij plani sulmi, miqtë nacionalistë shqiptarë kanë për të plotësuar detyrat e mëposhtme:
  3. Të zbulohet dhe raportohet në komandantët e trupave gjermane në Lushnje për vendndodhjen e Mehmet Shehut dhe bandës së tij, sidomos nëse ai tenton të tërhiqet gjatë sulmit. Në këtë kuadër, të jepen të dhëna se cilat fshatra zotërohen nga komunistët dhe cilët nga nacionalistët. Ky raportim përbën bazën më të rëndësishme për sulmin e trupave gjermane.
  4. Të vendosin në dispozicion të trupave gjermane udhërrëfyes vendas, që e njohin krahinën. Këta udhërrëfyes duhet që, nëse është e mundur, të njohin të gjitha udhët ndërmjet Lushnjës, Kuçit, lumit Devoll dhe lumit Shkumbin. Parapëlqehet që udhërrëfyesit të jenë në gjendje që, në shumë fshatra, të thonë se cilët banorë janë komunistë dhe cilët nacionalistë.
  5. Detyra më e rëndësishme e trupave nacionaliste shqiptare është organizimi i popullsisë, gjithkund ku trupat gjermane kanë përzënë komunistët, me qëllim që ata të mos kthehen dot më aty dhe, në rajonin e pastruar me luftim, të sundojë një paqe e përhershme. Për këtë qëllim, duhet që trupat nacionaliste të ndjekin menjëherë nga pas sulmin e trupave gjermane.
  6. Trupat nacionaliste shqiptare duhet të organizojnë prita në rrugët e mundshme të tërheqjes së komunistëve nga sulmi gjerman, me qëllim asgjësimin e plotë të komunistëve.

Për këtë gjë, janë sidomos këto rrugë të rëndësishme:

Për një tërheqje [të komunistëve- shën. im] nga Veriu, duhen organizuar prita në rajonin ndërmjet Peqinit, Uruzajt dhe Çengelajt si edhe në veriperëndim, në Broshkës.

Nëse tentohet tërheqja nga Lindja në drejtim të Gramshit ose Elbasanit, duhet bllokuar rajoni ndërmjet Shkumbinit dhe Devollit, në ngushticat në Veri dhe Jug të Belikut. Se ku duhet të ngrihen konkretisht pritat, duhet që komandantët nacionalistë t’i përcaktojnë sipas njohurive të tyre të terrenit dhe situatës së armikut. Në veçanti e rëndësishme për grupin e Belikut është organizimi i zbulimit të përparuar në Perëndim, në drejtimin e Belshit e më thellë, që të jenë gjithmonë të informuar mbi gjendjen aktuale të komunistëve dhe drejtimin e lëvizjes së tyre.

Për transmetimin e këtyre lajmeve, trupave nacionaliste do tu vihet në dispozicion një grup gjerman së bashku me një trupë drejtuese, i cili fillimisht duhet të shkojë në Belik.

Është e përshtatshme që, vendet se ku do të organizohen pritat, t’i bëhen të njohura komandantit të trupës gjermane në Lushnje.

  1. Për momentin, trupat gjermane e kanë të vështirë të dallojnë forcat nacionaliste, sepse nuk janë të veshur me uniformë. Për të shmangur ngatërresat, propozojmë që luftëtarët nacionalistë të lidhin në krahun e majtë një shirit të bardhë, me ngjyrat shqiptare në qendër. Kështu do të jetë e mundur që me dylbi, të dallohen në largësi nacionalistët nga komunistët.
  2. 68475011_2301321193464748_8194870013916610560_n.jpg

Nënshkrimi

Dokumenti 2

Shtojca 2

Për div. 100 të këmbësorisë. Ia Nr. 714/43, sekret, data 27.10 [1943]

  • Për të marrë pjesë në [operacionin] „505“ merren në konsideratë trupat nacionaliste të mëposhtme:
  1. Trupat që komandohen nga Alush Leskanaku [Leshanaku] dhe Achmed Kassa [Ahmet Kasa], të cilat aktualisht janë në proces formatimi dhe armatosje, që janë të shënuara me ngjyrë blu në hartën bashkëngjitur.
  2. Grupimi nën komandën e Ismail Petrella [Petrelës], që është i stacionuar rreth shtatë km në lindje të Durrësit (rreth 500 kokë).
  3. Grupimi i Zym Pezës, që ndodhet në juglindje të Shijakut.
  4. 5 deri në 6 batalione (çdo batalion ka rreth 250 burra)të Kadri Cakranit, të cilët (pas përfundimit të operacionit kundër komunistëve në rajonin e Belshit) duhet të mblidhen në verilindje të Lushnjës dhe në Kavajë.
  • Grupimi i përmendur në pikën 1a) do të formatohet dhe armatoset nga trupa speciale komando e kapitenit Lange.

Më i rëndësishmi në këtë grupim është [grupi] i Ibrahim Selimjes, që gjendet në rajonin Mustafaj. Ky grup duhet të marrë menjëherë çdo ndihmë të mendueshme, me qëllim përdorimin e tyre për qëllime zbulimi para fillimit të sulmit. Për këtë gjë, divizioni do të lidhet me kapitenin Lange.

  • Të një rëndësie tejet të veçantë janë batalionet relativisht të mirëorganizaur dhe mirëarmatosur të Kadri Cakranit, me të cilin divizioni është i lidhur ngushtë prej shumë kohësh. Më 26.10 Cakrani njoftoi divizionin se, ai kishte marrë urdhër nga drejtuesi më i lartë i organizatës së tij, Midhat Frashëri, një kushëri i regjentit Frashëri, që të luftonte hapur kundër komunistëve në krah të gjermanëve, e sidomos kundër brigadës së Mehmet Sheut dhe kundër Myslim Pezës. Aktualisht kjo luftë e përbashkët është duke u zhvilluar me intensitet në rajonin verior të Lushnjës.
  1. Vendndodhja e çetave te Ballit Kombetar që morën pjesë në Operacionin 505 kundër ushtrisë partizane
  2. Forcat gjermane qe morën pjese ne operacionin 505 kundër ushtrisë partizane.

68540866_441341903120141_371947938814885888_n.jpg
67835761_503172770455751_6719605355409571840_n.jpg
67941274_503183860438906_7625252106588389376_n.jpg
68599848_705832833197385_8933042035875643392_n.jpg


*

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
 
Back
Lartë