
Gjermania dhe Katari kanë rënë dakord për një partneritet afatgjatë energjetik, një hap drejt sigurimit të energjisë gjermane “pa u varur nga Putini”, njoftoi të dielen ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck.
Deklarata e Habeck erdhi pas një takimi me Emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, pjesë e një turneu në dy vende që ministri po kryen në kuadër të pushtimit rus të Ukrainës dhe dëshirës së Evropës për t’u distancuar nga Rusia.“Dita ka shfaqur një dinamikë të fortë”, tha Habeck, duke shtuar se Emiri kishte premtuar më shumë mbështetje sesa kishte pritur ndonjëherë Gjermania.
“Edhe pse ne mund të kemi ende nevojë për gazin rus këtë vit, në të ardhmen nuk do të jetë më kështu. Dhe ky është vetëm fillimi”, tha ministri gjerman.
Rusia, deri më tani ka siguruar 55% të importeve të karburanteve fosile të Gjermanisë. Autoritetet gjermane ishin në mes të finalizimit të një projekti të një gazsjellësi nga Rusia, të dënuar ndërkombëtarisht, kur Moska filloi të kërcënonte Ukrainën. Por gjithçka ka ndryshuar që nga pushtimi i 24 shkurtit, Gjermania ka nisur përpjekjet për të hequr dorë nga furnizimet ruse.
Pas takimit në Doha, zyrtarët e biznesit që shoqërojnë Habeck, duke përfshirë zyrtarë nga thyssenkrupp, Bayer, Siemens Energy dhe RWE, do të përpunojnë detajet me homologët e tyre nga Katari.
“Marrëveshja nuk fokusohet vetëm në dërgesat e gazit natyror të lëngshëm (LNG), por edhe në zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe masave që promovojnë efikasitetin e energjisë, fusha ku kompanitë gjermane kanë shumë për të ofruar”, tha Habeck.
“Rruga përbëhet nga shumë piketa”, tha Habeck. “Ajo sjell gjithashtu përfitime për Katarin, i cili eksporton kryesisht në Azi dhe ka kërkuar të diversifikohet”, shtoi ai. /atsh