• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

Letërkëmbimi i Enver Hoxhës me Nako Spirun

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
LV
0
 
Nga Arben SALIU

(Vijon nga numri i kaluar)

FERRI” I RAMIZESË



“Dashuria që na çoi të dyve gjer në vdekje…”

Vetëm pak ditë para pushkatimit, Ramize Gjebrea do të shfaqte parandjenjën e frikshme nëpërmjet vargjeve të “FERRIT” të Dantes. Sofokli Lazri, një nga bashkëluftëtarët e saj dhe të Zaho Kokës, në kujtimet e tij për këtë ngjarje tragjike, me nota tepër realiste përshkruan takimin e tij të fundit me këta dy kuadro të Brigadës së Pestë më 22 shkurt 1944. Gjithçka është shkëmbyer në një bisedë vëllazërore, teksa ata kanë shkuar të vizitojnë Sofon në shtëpinë e tij në Vuno, ku ai mjekohej nga plagët që kish marrë para një dite në Vranisht.



“ Pas shumë peripecish, në Vuno u futëm pa rënë nata. Shkuam drejt e në shtëpinë time… Ndërkaq shtëpia u mbush me njerëz… Kur thamë se mbetëm vetëm, u hap dera dhe hynë me vrull Zahua dhe Ramizea…

E pyeta Zahon se ç’kishte ndodhur që akoma qëndronte në Vuno.

-Më kanë dhëmbur gjunjët shumë,- tha si me bezdi.

-Po tani si je?

Më mirë. Nesër do nisem për në batalion….

Ndërkaq Ramizeja u ul në një karrige buzë shtratit, ku isha shtrirë, më prekte ballin, më kapte dorën si për të më matur temperaturën, më pyeste si e ndjeja këmbën, a më ishte thyer ndonjë kockë, a kisha humbur shumë gjak, a e kisha të lidhur mirë plagën dhe a kisha bërë ndonjë mjekim. Fliste me një zë të ulët e të dhembshur, e përqendruar në përgjigjet e mia, me një shqetësim të pafshehur dhe me kujdesin e çiltër për të më ndihmuar…

– Shiko, më tha. Folëm mjaft për luftën, për plumbat, plagët, lodhjen, shiun, dëborën. Dëshiron të flasim për letërsinë? – Fol për çfarë të duash, i thashë. Shoqëri do më bësh.

-A të pëlqen Dantia?

-“Ferri” po. Nga “Purgatori” kam lexuar diçka, kurse nga “*******” vetëm një këngë.

-Edhe unë “Ferrin” pëlqej. Siç duket e pëlqejmë se në ferr kemi jetuar dhe nëpër të ecim. Por ama, kemi një shpresë të dalim në parajsë. Përse luftojmë? A nuk luftojmë për këtë? Tani do të recitoj një këngë nga “Ferri”, ku flitet për dashurinë e Françeska da Riminit me Paolo Malatestën. Dhe fillojë të recitojë me një zë të ëmbël e të dredhur, sikur vargjet i pëshpëriste me vete, sikur po i shkruante në ditarin intim të saj:



Nga dashuria që prek çdo zemër trimi,

U lidh ky fort pas trupit tim të bukur,

Aq kobshëm vrarë, sa më zë trishtimi.

Dhe dashuria që s’lë dashnor pa zbutur

Me të më lidhi dhe asnjë përpjekje

Prej tij më kurrë s’ka për të më shkëputur.

Kjo dashuri na çoi të dyve në vdekje.



Lexonim ne një ditë, kot në prehje

Për Lançelotin, si u dashurua;

Krejt vetëm ishim e dyshim s’na brente.



Kur ne lexuam si ai dashnor pa pritur

Fytyrën që i blatonte lumturinë,

Ky, që prej meje kurrë s’është shkëputur

Më puthi buzët me aq drithërim

Galeot që libri dhe ai që shkroi

S’lexuam më tutje ne as dhe një grimë.



Pasoi një psherëtimë e thellë që i ngjante një rënkimi të dhimbshëm dhe vazhdoi:

– Sa bukur e ka shprehur Dantja dashurinë që erdhi papritur, menjëherë: dashurinë fatale do të thoshja. Ai nuk të tregon si lindi, fjalët që shkëmbyen, shikimet e kryqëzuara etj. Por me një rresht, t’i thotë të gjitha, “Më puthi buzët me aq drithërimë”.

Dhe që këtu ti e kupton, e ndjen se ç’është fataliteti dhe pas saj si ndodh tragjedia, të cilën ai e jep me një varg tjetër lapidar: ”S’lexuam më tutje asnjë grimë”….

– Dëgjo, bijo, ju drejtua nëna ime Ramizesë. Po gdhihet. Ti me Zahon do shkoni në Ramicë se u kërkon kumanda. Edhe unë me Sofon do shkojmë në ndonjë stan se këtu nuk rrihet. Le të mbarojë njëherë lufta e të shpëtoni gjallë, pa do bëni shkolla më të mira nga këto që kini bërë.

– Ja dhe pak mëma e Sofos, po mbarojmë, ju përgjegj Ramizeja. Dhe rifilloi monologun e saj, por këtë herë të përzier me fjalë italisht që Zahua, nëna dhe motrat e mia të mos ja kuptonin të fshehtën e saj e që ajo donte ta merrte me vete.

-A e di ti sa inteligjent është Zahua, e rifilloi ajo fjalën e ndërprerë, por toni i saj ishte mjaft entuziast, gati euforik e që më shumë i ngjante shpërthimit të një gëzimi të papërmbajtur…

Ramizeja s’kishte të mbaruar ende lavdërimet për Zahon, kur fillova të mendoj se ajo ishte dashuruar marrëzisht pas tij dhe gjithë biseda që po bënte për Danten, ishte si një rrëfim, gati i hapur, për dashurinë e saj për të….”





SI U PËRJETUA NGJARJA E RAMICËS NGA PARTIZANËT?!



Sapo mbërritën në Ramicë, më datën 26 shkurt, Zaho Kokën dhe Ramize Gjebrean shtabi i Brigadës së Pestë i mbajti në gjendje arresti të dy për 10 ditë me radhë në shtëpinë e Zotajve. Gjatë këtyre ditëve vazhduan seancat hetimore karshi tyre, gjersa erdhi data 6 mars, kur u bë publike vendimi i trupit gjykues.



Në rrëfimin e tij për këtë moment, veterani Maman Saliu, ish kuadër i Brigadës së Pestë Sulmuese, kujton:

“Në 6 mars u mblodhën në Ramicë vetëm tre nga pesë batalionet e Brigadës së Pestë. Konkretisht: i dyti, i treti dhe i katërti. Me kuadrot e këtyre batalioneve, shtabi i Brigadës bëri analizën e veprimeve luftarake dhe gjendjen moralo-politike gjatë Operacionit të Dimrit, ku referuan Hysni Kapua dhe Shefqet Peçi. Çuditërisht, para Brigadës, në vend të fliste një nga dy drejtuesit e Brigadës, apo Manush Myftiu, konkluzionet i bëri Hito Çakua, shefi i Seksionit Politik. Ky gjithashtu na vuri në dijeni mbi gjyqin e zhvilluar ndaj Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë. Akuza ndaj tyre ishte e njëjtë. Kishin shkelur moralin partizan duke kaluar në raporte intime njëri me tjetrin.

Për herë të parë Ramizenë e kisha parë dhe dëgjuar kur përshëndeti në emër të rinisë në Bramyshnjë, me rastin e inaugurimit të Brigadës së Pestë. Oratoria e saj dhe bukuria që rrezatonte, emocionoi tërë të pranishnit. Në Ramicë ishte përballja e dytë me të, por në të tjera kushte. Gjyqi për të kishte marrë vendimin kapital, kurse për shkak sinqeriteti, ndaj Zahos ishte vendosur zhveshja nga funksionet komanduese dhe përjashtim nga partia. Dalja duarlidhur e Ramizesë para Brigadës, e shoqëruar nga disa partizane, të cilat do të ishin zbatueset e vendimit të gjyqit, na shokoi të gjithëve. Në çastin kur këto morën sinjal të shtihej mbi shoqen e tyre, që ishte në ecje e sipër, këto të tronditura si gjithë ne të tjerët, fillimisht nuk e goditën në trup. Në këtë moment Ramizeja, që siç kuptohej nuk i ishte komunikuar personalisht akoma vendimi i gjyqit, ndalon dhe flet për herë të fundit: ”Ç’bëni kështu, pse qëlloni ?!” Por breshëritë e dyta e rrëzuan të vdekur në tokë. Ishte një skenë tragjike që s’la shpirt pa u drithëruar. Sikur të mos mjaftonte breshëri i plumbave që u derdhën mbi trupin e saj, nxorri dufin dhe një kuadër kompanie, i cili doli nga rreshti dhe i zbrazi tërë nagantin mbrapa koke.

Zaho Koka nuk doli në skenë, mbasi atë e kishin vënë në dijeni paraprakisht për vendimin karshi tij dhe e kishin nisur drejt qarkut të Korçës për reabilitim. Prezenca e Zahos në ekzekutimin e Ramizesë do ishte shumë e rëndë për të, prandaj ishte menduar që ai të mos ishte i pranishëm në këtë ngjarje të hidhur dhe dëshpëruese për gjithë Brigadën.

Me Zaho Kokën isha njohur në prill të vitit 1943, kur bashkë me Jonuz Mersinin u takuam me të në Mjegullosh, mal që i rri mbi krye Vunoit, për t’i transmetuar një porosi të Qarkorit të Partisë. Që në vështrimin e parë, Zahoja më befasoi. Para nesh qëndronte një djalë i moshës sonë, por më i burrëruar se ne. Ai karakterizohej nga një bukuri e rrallë, sy që i shkëlqenin, trup div e shpatulla gjerë. Gjatë bisedës me të, formuam bindjen se Zahua kishte edhe një pjekuri politike të madhe për moshën. Duke na folur për situatën në Bregdet, krijoje përshtypjen se kishe të bëje me një personalitet politik për kohën dhe jo me një djalë fshati me shkollë fillore.

Më pas, puna dhe situatat luftarake e prunë që me Zaho Kokën të ishim shpesh herë bashkë. Në këto kontakte, te ai zbulova cilësi të atilla që të impononin respekt dhe admirim të veçantë për të.

Gjatë Operacionit të Qershorit, kur endesha sa në një spital partizan në tjetrin të Zonës së Parë Operative, mora lajmin e hidhur për vrasjen edhe të Zaho Kokës në fshatin Vuno, në përleshje me forcat gjermane. U pikëllova pa masë, por njëkohësisht më pushtoi një ndjenjë krenarie, që dallgët e luftës më kishin njohur e bashkuar në të njëjtën llogore me këtë trim të bukur e të mençur.

Është fakt i pamohueshëm se Zaho Koka dhe Ramize Gjebrea ranë në dashuri, por ekspozimi i ndjenjave intime në rrethanat e luftës sonë ishte shpallur tabu,

“e pamoralshme”, “mëkat”që dënohej rëndë. Dhe kjo rridhte si pasojë për të mos ju dhënë shkak armiqëve e tradhëtarëve që propagandonin se “vajzat partizane shkonin malit jo për luftë, por për dashuri”, se “në mal bëheshin punë të liga, që s’pajtohen me moralin dhe traditat e popullit”, etj broçkulla. Prandaj dhe ligjet e luftës partizane ishin të hekurta dhe të rrepta në drejtim të moralit. Ai duhet të ishte i pastër dhe i pa cënueshëm në çdo aspekt.

Gjithësesi, vendimi për pushkatimin e Ramize Gjebresë dhe denigrimin e rëndë të Zaho Kokës, qe ekstremisht i nxituar. Nuk mund t’ju “pritej koka” e të shuhshin njëri pas tjetrit këta dy yje të bukur, që i kishin bërë dritë luftës me zgjuarsinë, trimërinë dhe kontributin e çmuar.

Por sa do të rralla, lufta pati edhe raste të tilla, që sa herë i shtie në mendje, të trondisin dhe dëshpërojnë”.









SI E VLERËSOI ENVER HOXHA NGJARJEN E RAMICËS?



Për hir së të vërtetës, drejtuesi kryesor i PKSH dhe i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, Enver Hoxha, nuk e mirëpriti vendimin e gjyqit ndaj Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës. Për këtë flasin qartë shkëmbimi i dy letrave të tij drejtuar Nako Spirut, udhëheqësit të Rinisë Komuniste Shqiptare dhe njëkohësisht i fejuari legal i Ramize Gjebresë. Të dy këto letra dhe reagimi i Nako Spirut për këtë ngjarje, konvergojnë në thelbin e tyre, se “ dënimi i dhënë ndaj Ramize Gjebresë është i rëndë dhe shokët e Vlorës nuk e kanë kuptuar drejt çështjen e dashurisë së lirë”.

Nëpërmjet këtyre dy letrave , të sigluara nga “Tarasi”, ku figuron edhe emri i “Halimit” (Miladin Popoviçit), krahas përpjekjes për të informuar në mënyrë të detajuar Nako Spirun, te Enver Hoxha ndjehet një lloj përkujdesje në interpretimin e rasteve të tilla delikate.





LETRA E PARË PËR NAKO SPIRUN:



….” Vlora na lajmëron se shtabi i Brigadës së Pestë dhe disa shokë të terrenit, të mbledhur në një gjyq të posaçëm, kanë gjykuar dhe dënuar me pushkatim shoqen Ramize Gjebrea. E akuzonin për tradhëti karshi partisë dhe shkelje të moralit proletar. Brenda po ju çojmë letrën që ju dërgon Xhakoja. S’është nevoja të zgjatemi mbi çështjen që ngjau. Kemi raportin dhe proçeset e këtij gjyqi, por s’i dërgojmë se mos bien në dorë e armikut. Kur të takohemi i sheh. Megjithëqë djallja s’ishte sjellë mirë, por prapë dënimi i dhënë ishte shumë i rëndë. Çështja e dashurisë së lirë është shumë delikate dhe shokët as që e kanë kuptuar. Çështja e Vlorës bëri shumë bujë atje dhe shokët e Brigadës, të alarmuar, panë punën që kish bërë Ramizeja si një cënim dhe diskretitim për ushtrinë dhe partinë dhe morën atë vendim të shpejtuar pa pyetur Komitetin Qendror. Nga ana tjetër, shoqja është përpjekur dhe ka larguar shokët dhe ka sabotuar punën, vetëm e vetëm që të qëndronte vetëm me shokun Zaho Koka. Shokun në fjalë e kanë qitur nga Partia dhe e kanë çuar në krahinën e Korçës, të punojë këndej. Për këtë punën delikate të dashurisë, duhet që shokët e Partisë dhe të Rinisë të kenë kujdes të madh, pse kjo çështje mund të pres nga të dy anët. Po të kuptohet keq prej shokëve dhe shoqeve çështja e dashurisë së lirë, atëherë kalojmë lehtë lehtë në kurvëri dhe, nga ana tjetër, mund të kalojmë në jetën e murgjërve dhe murgeshave. Shtrojeni çështjen qartazi në Rini dhe në Parti me anë konferencash, pse nuk jemi organizatë priftërinjsh, por të gjitha punët duhet t’i shohim nga ana e përparimit.”



REAGIMI I NAKO SPIRUT:



“Të dashur shokë Halim, Taras



Nga letra juaj e fundit, edhe ajo pa datë, sikundër kishte qenë edhe imja, mora vesh çështjen e Ramizesë.

Ja qëndrimi im: Nuk kam asnjë mëri, asnjë urrejtje për Ramizenë. Ja fal plotësisht gabimin karshi meje (asaj që i thonë tradhëti karshi shokut).

Nuk gëzohem aspak, nuk ndjej sadisfaksion personal për dënimin që ju dha, ose për çdo dënim tjetër më të drejtë që mund t’i jepesh, përkundrazi hidhërohem, ndjej një dhimbje të thellë. Por Ramizeja ka bërë një gabim të madh, sidomos karshi punës që kish. Ajo kish përgjegjësi të madhe, duhet të jepte shembullin e mirë. Ndërhyrja nga ana e jonë ishte e domosdoshme. Por ndërhyrja nuk justifikon vendimin e gjyqit. Dënimi i dhënë nuk është në proporcion me fajin, është shumë i rëndë, prandaj nuk është i drejtë. Unë nuk e aprovoj. Kam për të bërë një vrejtje. Shokët do e kanë marrë këtë vendim mbasi puna kish marrë erë, kështu mendoni ju, kështu supozoj dhe unë. Por shokët duhet të ndërhynin më parë. Nga letra e Xhakës kuptova se ata s’kishin dijeni (patjetër duhet të kishin, mbasi si thonë, puna mori erë). Kjo më shtërngon të bëj konstatim të hidhët: ka tendencë që shokët në vend që të kujdesen me të dhënë dorën në minutën e duhur, presin minutën e fundit, ku është shumë zor me të dhënë dorën dhe atëhere të japin shkelmin.

Unë mendoj gjithashtu se shokët e gjyqit, Xhako sidomos, janë shpejtuar për këtë vendim, mbasi kishte një shok të tradhëtuar dhe i tradhëtuari isha unë. Ky është një konsideracion i gabuar dhe prapanik.

Si gabimi i Ramizesë, si ai i gjyqit, tregojnë se në radhët tona nuk është mbrrit pjekuria morale e duhur. Jemi tue vënë në zbatim direktivat tuaja mbi këtë pikë. Por nuk duhet me u dëshpëruar, dmth me e humb toruan kur ngjasin të tilla gjëra, mbasi shoqëria jonë në Shqipëri është shumë mbrapa.

Puna e shumanshme e Partisë sonë, lufta, puna politike, edukata, puna në masë, lartësimi teorik i kuadrove, përparimi i botës përgjithësisht dhe koha do të mundin me i shëru më së miri këto plagë. Por kjo nuk mund të bëhet për një ditë. Megjithatë, rezultate të mira janë arritë që tashi në këtë punë.

Të kthehemi te Ramizeja. Ta përcaktoj me një aforizëm pozitën time. Për botën (mbasi këtë punë ka për ta marrë vesh dhe dreqi) unë tani do të jem një njeri pa vlerë; për shokët një i tradhëtuar i madh dhe për veten time, një njeri i vogël, me një dhimbje të madhe.

Të mos harrojmë se bota do shof edhe gishtin tim në marrjen e këtij vendimi si hakmarrje. Kjo gjë ka qenë për mua një grusht shumë i rëndë (si sjellja e Ramizesë dhe sidomos vendimi i gjyqit – dhe sidomos vendimi).

Unë nuk do të kisha asnjë kundërshtim që ajo të ndahej nga unë. Por unë nuk do të përkulem dhe do të mundohem të zmadhoj kontributin tim të vogël që i jap Partisë.

Do mundohem me të gjitha forcat e mia dhe do e bëj. Por tani s’është koha për konsideracione që mund të degjenerojnë në sentimentalizëm.

Të vdekurit nuk mund t’i ngjallim. Prandaj t’i vëmë pikë kësaj ngjarje të hidhët”.



Me të marrë këtë letër, Enver Hoxha nuk nguron t’i kthejë menjëherë përgjigje bashkëluftëtarit të tij të afërt. Ai e përgëzon për qëndrimin e tij dhe njëkohësisht e këshillon që çështja Ramizesë të mos trajtohet në konferenca e personalizuar, por të flitet në përgjithësi rreth kësaj teme. Mungesën e Popoviçit në çastin kur po përpilohej kjo letër, Enver Hoxha , nëpërmjet një humori therës, e justifikon se “Halimi” nuk ndodhet, pasi ka shkuar të rregullojë dhëmbët, se është bërë si ata kuajt pleq”.



(Vijon)
 
Back
Lartë