• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

Ja kush e organizoi Kryengritjen e Fierit më 1935

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
LV
0
 
Kujtimet e Kadri Cakranit (II)

Nga Auron Tare

Në kujtimet e shkruara nga dora e tij në Amerikë, Kadri Bej Cakrani përshkruan një mori ngjarjesh historike që luajtën një rol të rëndësishëm në historinë shqiptare. Si dëshmitar i rëndësishëm apo rastësor ai përshkruan me detaje fakte dhe ndodhi të cilat njihen nga historiografia jonë vetëm në versionet e shkruara pas Luftës nga historianë të lidhur ngushtë me fituesit e pushtetit. Nëse kemi parasysh rolin e tij kryesor në përplasjen me formacionet partizane gjatë Luftës, dëshmitë e Kadri bej Cakranit mbi atë periudhë duhen parë me rezerva. Por dëshmitë e tija mbi periudhën monarkiste apo para monarkiste janë të mbushura me detaje shumë interesante, të cilat mund dhe duhet të risjellin një këndvështrim të ri mbi disa prej ngjarjeve dhe protagonistëve kryesorë. Roli i Ismail Shehut i njohur si Sheh Ismaili (babai i Mehmet Shehut) sipas Kadri Cakranit, një prej mbështetësve kryesorë të lëvizjes Qamiliste në Jug dhe vrasësi i disa prej emrave më të njohur të Mallakastrës që i rezistuan qamilistëve psh trajtohet mjaft gjerë nga autori i dorëshkrimit. Por dëshmia më interesante e kësaj kohe vjen mbi rolin parësor që Bektash Cakrani, pinjolli me i vogël i familjes Cakrani dhe ish Ministër i Qeverisë së Vlorës kishte në organizimin e Lëvizjes së Fierit. Një lëvizje e cila e tronditi mjaft Monarkun Shqiptar jo vetëm brenda vendit por edhe në rrafshin ndërkombëtar. Sipas Kadri Cakranit, familjet kryesore feudale të Jugut kishin vendosur që të rrezonin Mbretin i cili po rrëshqiste gjithnjë e më shumë drejt një Diktature. Për këtë arsye Vlorajt dhe Cakrani dy familjet kryesore të Jugut të bashkuar me një numër patriotësh antizogistë, naivësh apo aventurierësh si Kosta Çekrezi, një shqiptar i lauruar në Harvard, po përgatiteshin për një grusht shteti. Megjithëse për kryengritjen e Fierit është shkruar shumë, dëshmia e Kadri Bej Cakranit një dëshmitar okular sjell fakte të reja mbi udhëheqësit e këtij grushti shteti. Po kështu vrasja e Gjeneralit te Xhandarmërisë Shqiptare, Kroatit Gilardi një prej besnikëve të Zogut është trajtuar në një mori shkrimesh. Për vrasjen e tij në Sheshin kryesor të Fierit janë përmendur disa emra por sipas Kadri Bej Cakranit vrasësi i vertetë është një prej anëtarëve të Familjes Cakrani, i cili e bëri atentatin me urdhër të Bektash Bej Cakranit, kundërshtarit kryesor të Zogut si një mesazh për Mbretin.

Dhuna e përdorur nga ushtria zogiste ndaj kryengritësve la një përshtypje shumë negative në qarqet e politikës europiane. Presioni ndërkombëtar ishte aq i fortë sa e detyroi Zogun të ndalonte varjet dhe pushkatimet dhe pas pak të lironte autorët kryesorë nëpërmjet një aministie. Sipas një dëshmitari tjetër të këtyre ngjarjeve Eqrem Bej Vlorës torturat e Zogut detyruan Nuredin Bej Vlorën, djalin e ish Kryeministrit të Perandorisë Osmane të kryente vetëvrasje, por që fatmirësisht i shpëtoi vdekjes në burg. Për lirinë e tij u investua edhe administrata amerikane pas një mori lutjesh të ish gruas së tij amerikane mjaft e pasur e cila ndërhyri ne qarqet më të larta diplomatike. Por disa prej krerëve të tjerë nuk e kishin atë fat dhe u pushkatuan apo u vranë në përpjekje me xhandarmerinë e Zogut, të cilin kjo kryengritje e trembi shumë.

Kadri Cakrani

Mallakastra para kryengritjes


Me që Mbretërija për Shqipëtarët ishte e bezdisur, se në të vërtetë ata nuk do t’a gjejnë ndonjë herë mendoj, rendin që e ndjejnë se bëjnë pjesë, Vlonjatët e Labërija që nuk durojnë asnjë mbi kokë, jo Mbret, filluan një Lëvizje kundër Mbretit. Si ç’do lëvizje që ngrë krye, nga pas është një që j’U jep mëndje, dhe një që i finanson. Finansimi vinte si gjithmonë nga Jugosllavija, se Mbretin Zog që kishte bërë marrë veshje me Italjanët, e kishin ç’pallur armik tani Sërbët. Organizata u bë e mëshehtë, aq sa mund të ekzistojë kuptimi i kësaj fjale në Vlorë. Si ndodh atje, ajo u prish, para se të ngrihej. Pas Organizatës së mëshehtë në Vlorë, që u spiunua, dihet po nga Vlora, Mbreti Zog e dinte se Vlora nuk e donte. Ai kish thënë prapë që Vlora jo nuk do jo Mbretëri, po as njeri dhe as veten, hapur edhe në Oborr. Pasi u dënuan ata që u zunë me anë të spiunimevet, Mbreti Zog bëri ç’është e mundur të kontrollonte Jugun, që i kish sjellë probleme gjithmonë. Nuk bënte përjashtim këtu Mallakastra ku jetonte fisi t’onë me në krye Bektash Beun, që nuk e donte Mbretin, po që e kishte propozuar vetë më 920. Po jo se nuk e donte si njeri, se duhet të bëç shumë vepëra që të hysh në zëmrën e xhaxhait t’im! Ai që të ri e njihte Ahmet Zogun, po në Shqipëri thosh xhaxhai, nuk e bën dot Mbretërinë as një, si ato të Evropës! Dhe po s’e bëre dot ashtu si ato, lere fare!

Këtë punë e kish filluar Princi Vied dhe e kishte lënë në nisje, se e sabotuan Italijanët me Shqiptarët e Haxhi Qamilit, dhe letrat nga Fuqitë e Evropës ai i kish. Më i gjënduri në të gjitha krah Princit, ishte vetëm Bektash Beu që j’U vranë ushtarë qindra dhe mirë që shpëtoi vetë në luftën e Lushnjes. Ai i pa me sy se ç’mund të bënin Shqipëtarët që e lanë në baltë Princin, i provoi me shpatulla, duke lënë kush e di sa të vrarë dhe rrebelët! Ishin ata që i dogjën sarajet dhe gjithë Cakranin, dhe në fund u ç’gënjye nga anarkija që Shqiptarët e mbajnë brënda të gjithë. Si e bëri hesap se me njëri tjetrin Shqiptarët janë vetiu të përçarë dhe s’duhet që këtë t’a bëjnë fare e të lodhen të huajt, ai nuk e shikonte asnjëherë xhvillimin tek ne. Xhgënjimi tjetër i erdhi në fund të Luftës së Parë kur Englezët ndihmuan Italjanët, dhe e shpërndanë Perandorinë Austriake, që bëri Shqipërinë shtet, sa la kokën Princi i t’yre me gjithë të shoqen më prapa. Shkurt Mbretëritë xhaxhaji i shikonte larg, dhe që mund të bënte Shqiptar këtë gjë, nuk mund t’a besonte!

Po që në kohën para Republikës, Mallakastriotët ishin ushtarakë të Qeverisë dhe në momentin e vrasjes së Avni Rustemit, ishte Ministër Mustafa Aranitasi, që e kish marrë Bektash Beu në luftën me rrebelët në Ballsh. Ai i bëri nderimet me ditë zije, flamur gjysëm shtizë, me hero e të gjitha, që Zogu si autor në prapa sqenë, e shkarkoji. Për të mos e bërë armik tha se mirë që i kish bërë nderimet, po nuk kishte pyetur njeri, dhe nga kjo arësye e fortë, ç’karkohej nga detyra dhe vë Xhemal Aranitasin në vënd të Tij. Hysni Toskën më vonë në Mbretëri e kish marrë si kreun e ushtrisë që stërviste, dhe tallje më të madhe për Mallakastërn, nuk kishte. Kulmin e arrinte kur linte të lirë Isa Toskën si hajdut dhe kriminel që vriste dhe digjte natën, sa të gjithë fshatarët që gjeti tek furra e bukës në Vreshtaz, i hodhi në furrë dhe i dogji, kur ushtrija vinte të nesërmen. Ishte strategji, që të fillonim luftën për vet mbrojtje, dhe ai të sillte ushtrinë për të arrestuar, jo kriminelin, po ne për armë mbajtje. Ahmet Zogu e njihte mirë Bektash Beun dhe bënte ç’mos që të mos kishte atë fuqi në popull, prandaj nga Mallakastra i mori Komandantët e t’ij dhe i vuri në Ushtrinë Mbretërore. Kjo bëri që xhaxhai t’a urrente aq shumë Mbretin, po dhe Zogu t’a përbuzte Atë. Ai e dinte që Mallakastrën e kish në dorë dhe bëri ç’mos që të bënte armik duke e lënë pa asnjë rrugë, jo të tjera. Po Bektash Beu i kish bërë rrugët që në kohën e Austriakëve, që e ndihmuan Atë shumë dhe përpiqej që Mallakastra të mos e ndjente që Mbretëria e kish lënë pas dore. Edhe në ditë pazari, policët kontrollonin vetëm Mallakastriotët.

Kryengritja e Fierit

E dinim nëpër të se xhaxhaji me të tjerë po pregatiste një Levizje kundër Mbretit dhe duke qënë e mëshehtë, ne si nipër nuk n’a sqaronte se kush ish në të, vetëm Sulo Beun, po ne i dinim me kohë. Pa pritur një mëngjes nga Gushti 935 erdhën dhe i thanë diçka Bektash Beut që kishtë zbritur në Fier tek Sulo Beu, xhaxhai tjetër në atë shtëpinë e madhe në krah të Vrionasve. Bektash Beu u zverdh nga inati dhe ne po prisnim ç’kishte ndodhur. Ai u çua me nxitim dhe foli nëpër dhëmbë shkallëve. Ne i shkuam pas, kur Sulo Beu po vishej të ikte me të.

–Mos hajde ti Sulo Bej, qëndroi në mes të shkallëve Bektash Beu dhe ne të tërë prapa.

Në rrugë xhaxhaji n’a tha se puna ishte keq dhe ishim zbuluar. Kishte ardhur vetë Komandanti i Gardës së Mbretit, Gillardi, që donte të thosh se ushtrija e Tij ishte prapa. Xhaxhaji n’a tha se po është se ka ardhur Xheneral Gillardi vetë, ai është i besuari i Mbretit.

-Ai është komandanti i luftës, i xhandërmarisë dhe ç’do gjëje, pasi ka dorë të lirë për të vrarë ç’do njeri që e sheh si të mundur që i sjell telashe Mbretërisë. Pra dhjetë Ministri është vetëm ai njeri që Zogu i beson ç’do gjë, se Shqipëtarëvet nuk u besohet! Kjo është një gjë e mirë për Mbretin, se ky është njeri besnik i Tij, po edhe për atë që mund të bëjë ai lloj njeriu që ka në kurris në të vërtetë gjithë Mbretërinë. Edhe Zogun vetë! Po u hoq ai qafe, Mbreti s’ka kë të vërë në krye të ushtrisë e xhandërmarisë. Këtë Ju e dini më mirë se dhe unë! E di që do i quani në këtë situatë ç’mënduri këto fjalë, po unë s’kam pyetur për asnjë, jo nga ky Mbret që n’a ka prurë në këtë ditë, po që kur më përzinte Turqija! Prandaj fillimisht kërkoj që të jeni dakort apo jo si mendim, pastaj si do t’a bëjmë këtë gjë.

Ca kishin ulur kokat, se Bektash Beu i kishte mendimet që jepte vetëtimë si shpejtësi dhe sëpatë si zgjidhje, kurse ca të tjerë po e shikonin duke menduar se me këtë gjë e sollën fundin e tyre. Ata j’a kishin ngulur sytë xhaxhajit dhe nuk po ndihej njeri. Nja dy afër derës pëshpëritën me njëri tjetrin, po Bektash Beu u kollit. Ata kthyen sytë nga ai, i cili j’u dha fund hamëndjeve që deri tani u vinin në kokë në formë përralle.

–Këtë gjë nuk e kërkoj nga Shtabi, këtë do t’a zgjidh unë vetë! Mbreti e di mirë që po ka njeri në vatanë e Tij që nuk e do, jam unë. Të tjerët ai u ka dhënë rrugët dhe shpëtoi tërvjet në qime nga ata. Nuk mund t’Ju mësoj unë Ju se ai e ka kaq inat Mallakastrën, sa j’a ka prerë të tëra! Shkaku jam unë dhe mos t’U pritet goja, se i mbaj vetë pasojat!

Kostë Çekrezi ndërhyri dhe tha se ç’do gjë ishte planifikuar të bëhej bashkarisht dhe e dini se të gjithë po përpiqen për këtë gjë.

–Po kush mendon se i tha Xheneralit të vijë këtu e prapa Tij ushtria, mos unë, dhe tani po kërkoj të ç’lyej fajin? Të kam thënë që kurë se edhe konspirasjoni ka shkallët e veta që duhet të jepet dhe duke qënë se nuk e mbajtëm dot benë dhe atë që menduam, këtu ja do marrë për hair kjo që po them, ja kështu ishte e shkruar! Po që të futemi vrymeve se erdhi Xhenerali e n’a arreston, unë kam vrarë Bimbashër që kur këta nuk kishin lerë, ndaj Ju jeni të dalë nga përgjegjësitë e Shtabit me një herë! Bektash Beu liroi gravatën dhe ishte bërë një ngjyrë mavi në fytyrë.

-Atë e mbaj vetë. Bijtë dihet që do bëjnë si u them unë, kur është llafi për vatanin, nipërit do më ndjekin se s’bën në luftë, se këtu ka qënë dhe është tani nderi i mbiemrit Cakrani. Të tërë të shuhemi!

Ai iku me hapa të mëdhenj për nga dera dhe ne nxituam të tërë, i biri Namiku afër Tij, Kujtimi, Jashari, unë dhe ca të tjerë që u ngritën me ne. Pasi dolëm jashtë u kthye dhe i ndoqi ata që donin të vinin me ne.

–Hafije ka dhe këtu në dhomë, nuk m’a mbush njeri mëndjen mua, që Xhenerali ka ardhur pa ushtri. Këta kanë mbledhur Komunista e Anarkista e ç’nuk kanë prurë në Lëvizje dhe këtej kërkojnë konspirasjon.

Unë ngriva dhe nuk po bëja hesap kush mund të ishte Komunist, që nga Kost Çekrezi e deri tek Riza Cerova që paskej çetë dhe ishte duke ardhur. Po këto nuk thuhen në konspirasjon, po i tregon koha. -Me gjithë veprën e turpit, si u bë tani, këtyre u duket se bënë më mirë ata që ikën fare nga Lëvizja, prandaj dhe vonë, po j’a mbathin. Nuk dimë se Fieri është fushë se nga do mësyjnë dhe është vonë për t’U bërë ballë me aq sa jemi. Po pa vrarë atë nuk mund të vdes i qetë, se do më duket sikur vrava Matjanin!

Të gjithë filluam të flasim një herësh po Bektash Beu bërtiti.

–E di unë këtë punë, se Ju jeni të rinj dhe keni fëmijët të vegjël. Ku do rriten pa Ju ata? Një gjysmë ore nuk e lamë të fliste për atentatin që u tha se do të bëhej dhe ai ikte përpara, Ne e rrethonim duke kërkuar sejcili këtë nder nga xhaxhaji. Të parin ai hoqi të birin Namikun, sepse nuk ishte praktikuar në revole. Xhenerali nuk dihej me sa vetë mund të ish, prandaj do të ishte për zjarrin që të likujdonin ordinansat e Tij në atë moment. Mua më shtyti mënjanë, se j’u duka se ishja ai i vogli që i këndonte vjersha darkave, si do që unë ishja tani dy metro, mbeti Kujtimi, që mund t’a bënte, po dhe mund të vritej në çast, se nuk do luante deri sa t’i vriste të gjithë. Unë u futa prapë në bisedë duke thënë se unë ikja prapë në Berat dhe thosha se nuk kam qënë në Fier fare. Bektash Beut i ndritën sytë dhe ndaloi se ç’pjeguari. –Asnjë nga Ju, veç Jasharit të Sulo Beut nuk do t’i godasë dhe të zhduket si vetëtimë, që pastaj të thuhet se nuk e pamë.

Jashari ishte i gjatë dhe për atlet, nuk kish njeri të ndeshej me të. Sherri nëpër rrugë po vazhdonte dhe duhej që në rast se nuk gjendej në vëndin e Jasharit Xhenerali, duhet të hapnim ne zjarr. Kjo gjë e komplikomte situatën edhe për ata që do n’a vinin në ndihmë. –Për deri sa kjo punë u spiunua, asnjë fjalë, vetëm ne! Bektash Beu doli në rrugë dhe ne u shpërndamë dukë pasur sytë nga Jashari që ecte drejt, dhe nga që ishte i gjatë, dukej që përtej se atë ditë me gravatë në atë Fier trokë, nuk ishte për qejf. Zhurma nëpër rrugë vinte dhe ca grupe njerëzish po bërtisnin duke sharë dhe kalamaqtë e vegjël, si rrinë në keto raste, ishin nëpër këmbë të tyrej. Të gjithë ishim në atë kohë si në një botë tjetër, që do të bënim disa veprime jo të këtyre njerëzve që ecnin në rrugë dhe atyre që bërtisnin.

(Vijon numrin e ardhshëm)
 
Back
Lartë