Dje në Tiranë u organizua ceremonia për dekorimin e gazetarit Xhevdet Shehu, prej Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut.
Kryetari i kësaj Organizate, Gjergji Velo i dorëzoi gazetarit të Ditës vlerësimin “Nderi i Organizatës” për kontributinnë mbrojtje të LANÇ dhe të Dëshmorëve të Atdheut.
Në ceremoni folën Prof. Paskal Milo, Prof. Nasho Jorgaqi, Prof. Ksenofon Krisafi, Av. Idajet Beqiri, diplomati Shaqir Vukaj, Tatjana Kurtiqi, Dalan Buxheli, Pandeli Koçi, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Odise Porodini, Gjikë Kurtiqi, Prof. Bernard Zotaj, Bardhyl Hazizaj e të tjerë.
Kjo veprimtari u organizua në kuadrin e 75 vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga nazifashizmi dhe kolaboracionistët e tij.
Xhevdet Shehu
Dekorimi i djeshëm nga organizata kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut, ishte emocionues për mua; një vlerësim shumë i veçantë në karrierën time të gjatë si gazetar.
Por ky dekorim nuk më përket mua. I përket gazetës ku unë punoj dhe gjithë atyre që kanë mbrojtur dhe mbrojnë vlerat dhe simbolikën e LANÇL.
Kontributin e Ditës e vunë në dukje edhe disa nga oratorët e djeshëm si Prof. Paskal Milo, Prof. Ksenofon Krisafi e Nasho Jorgaqi, Shaqir Vukaj e Idajet Beqiri, etj.
Unë duke shprehur mirënjohjen e thellë për ata që ma bënë këtë vlerësim, u thashë që nëse do ishte një kohë normale, unë nuk kisha pse të merrja një dekoratë të tillë. Unë kam bërë detyrën time si gazetar. Dekoratat jepen për merita të veçanta.
Jo vetëm gazetarët, por çdo qytetar i ndërgjegjshëm duhet të mbrojë kujtimin e atyre që dhanë jetën për këtë vend dhe të risjellë sakrificln dhe dinjitetin si shembuj vlerash në ditët e sotme, kur ato fatkeqësisht na janë bjerrur masivisht.
Unë mund të mos e merrja këtë dekoratë edhe për arsyen më të thjeshtë në botë:
Im atë ka qenë partizan dhe mund të ishte vrarë në atë luftë. Organizata e Dëshmorëve të Atdheut do ta nderonte si një dëshmor, por unë nuk do të kisha lindur dhe nuk do isha në këtë botë.
Erdhën kështu punët dhe ne si gazetë merremi me një çështje, shenjtëria dhe paprekshmëria e së cilës as nuk duhet të vihej në diskutim.
Ky është një paradoks i kohës që jetojmë. Nuk duhej të arrinim deri këtu.
Kjo Shqipëri që kemi është fryt i asaj lufte, përndryshe do ishim fshirë tashmë nga harta e botës. Kjo e vërtetë e pakontestueshme duhet të kishte mjaftuar edhe për kohë të tilla anormale si këto që po jetojmë sot.
Të vjen ndot që ka njerëz dhe institucione, madje të paguara nga shteti, nga qeveria që kërkojnë me ngulm që dëshmorët e asaj lufte t’i kthejnë në kriminelë dhe kriminelët e vërtetë t’i ngjisin në piedestalet e heronjve.
Kjo është një mbrapshti e paparë, e padurueshme.
“Zuzarë, larg duart nga Lufta, larg ato duar nga Dëshmorët’.
Ja këtë po ua përsëris sot atyre që duan ta kthejnë përmbys historinë.
E ndaj me krenari këtë nderim që më është bërë me botuesit, stafin dhe gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë e gazetës.