
Në Europë, Shën Valentini festohet duke dërguar kartolina, lule, çokollata dhe dhurata të tjera. Në Danimarkë dhe Norvegji, Shën Valentini nuk festohet me përmasa të mëdha, por ka nga ata që e festojnë thjesht duke ngrënë një darkë me partnerin e tyre [8]. Në Suedi, Shën Valentini quhet “Dita e Zemrave” dhe ka filluar në vitin 1960 e nxitur nga kompanitë e luleve. Nuk është një festë zyrtare, por njihet për shitjet e mëdha të kozmetikës dhe luleve. Në Finlandë dhe Estoni, Dita e Shën Valentinit quhet “Dita e miqve” dhe festohet më tepër në aspektin miqësor dhe jo në atë të romancës [9]. Në Amerikën Latine, Shën Valentini njihet si “Dita e dashurisë dhe miqësisë” dhe festohet duke shprehur mirënjohje te personat e dashur. Në Korenë Jugore dhe Japoni, femrat i dhurojnë çokollata meshkujve më 14 shkurt dhe meshkujt u dhurojnë atyre ëmbëlsira pa çokollatë më 14 mars, një ditë feste e quajtur “Dita e Bardhë”. Në “Ditën e Zezë”, e cila festohet më 15 prill, personat që nuk kanë marrë asnjë dhuratë, festojnë ditën e beqarëve, duke ngrënë një pjatë me makarona të zeza. Në Kinë, burrat u dhurojnë çokollata dhe lule grave që dashurojnë. Dita e Shën Valentinit nuk festohet më 14 shkurt, pasi është shumë pranë Vitit të Ri Kinez. Shën Valentini në Kinë festohet ditën e shtatë të muajit të shtatë, në festivalin “Qixi”. Sipas legjendës, në këtë ditë u lejua një bari të martohej me një shërbëtore.Në Indinë e lashtë, kjo festë bëhej në përmbajtje të një tradite të vjetër të adhurimit të perëndisë së dashurisë Kamadeva, duke gdhendur monumente me skena dashurie apo duke shkruar librin e famshëm të artit të dashurisë “Kamasutra”. Në ditët e sotme, besimi islamik dhe ai hindu propagandon të shmangen festa të tilla si Shën Valentini, pasi cilësohen si tradita të huaja që ndikojnë në humbjen e kulturës vendase. Në Iran, ekziston një festival dashurie i quajtur “Esfandegan”, i cili vjen si traditë e kulturës perse dhe që duket se nuk ka të bëjë me Shën Valentinin e sotëm [10]. Në Izrael, tradita e lashtë e Tu B'Av është kthyer në ekuivalentin e Shën Valentinit. Festohet në ditën e 15 të muajit gusht. Mesa duket, në vendin çifut ka lindur një festë e re e ngjashme me Shën Valentinin, ku festohet dashuria dhe propozohet për martesë. Në Arabinë Saudite, në vitin 2011, u ndaluan shitjet e dhuratave të Shën Valentinit, duke e cilësuar atë si një festë kristiane. E njëjta gjë ndodh edhe me Pakistanin, Iranin dhe Malajzinë, ku komuniteti mysliman e nxit shoqërinë të mos e pranojë dhe festojë Shën Valentinin, sepse sipas tyre është e papërshtatshme për myslimanët.
