• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

Truri - "ky top magjik"

...

Kontributor
LV
0
 
TRURI - "KY TOP MAGJIK"

Për t'i kuptuar më mirë sjelljet e njerëzve, duhet të dimë më shumë mbi ndikimet biologjike tek ata. Pra, cili është ai gjenerator aq i fuqishëm që i fut në funksion gjithë këto procese psiko-fizike? Kush tjetër, përveç trurit.

Truri ka tërhequr gjithmonë vëmendjen, jo vetëm të psikologëve të sotëm, por edhe të dijetarëve që nga kohët më të lashta, sepse aktiviteti i tij psiko-fizik, ndikon dhe drejton pothuajse shumicën e sjelljeve. I përbërë nga miliona neurone, truri (sidomos ai i qenies njerëzore) është organi më i ndërlikuar i çdo gjallese. Shprehur figurativisht ai është më i ndërlikuar se cilido kompjuter i sotëm modern, pra një superkompjuter biologjik. Sa për ilustrim, sërish figurativ, mund të themi se i tërë rrjeti telefonik botëror, në krahasim vëllimor me trurin, paraqet vetëm një kokërr fasuleje.

Truri është edhe pjesa më e rëndësishme dhe më e ndërlikuar e sistemit nervor. Ai veçanërisht luan rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e jetës psikike të njeriut; rregullon funksionimin e organeve; harmonizon organizmin në përgjithësi; bën të mundur lidhjen e organizmit me realitetin objektiv (nëpërmjet transmetimit të impulseve nervore) dhe paraqet bazën fiziologjike për tërë jetën psikike: pra, është bartës i të gjitha proceseve psikike.

Pjesët kryesore të trurit janë tri: truri i madh, truri i mesëm dhe truri i vogël, kurse pjesa më e rëndësishme dhe më e zhvilluar e tij është korja e trurit ose siç quhet ndryshe, korteksi. Në zhvillimin e sistemit nervor, korja e trurit zhvillohet më vonë dhe ajo paraqet rezultatet më të larta të evolucionit. Sipërfaqja e saj është rreth 2m2 dhe përmban rreth 14 miliard elemente qelizore.

Truri i të porsalindurit është katër herë më i lehtë se ai i njeriut të rritur. Deri në vitin e gjashtë truri arrin përafërsisht 90% të peshës dhe të proporcioneve të tij përfundimtare. Kështu, ndërmjet moshës 9 dhe 10-vjeçare, truri i fëmijës arrin të ketë proporcion gati të njëjtë me atë të trurit të të rriturit. Gjithashtu, është vërtetuar shkencërisht se pesha dhe mosha e trurit nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti me zhvillimin e inteligjencë. Truri peshon rreth 1.5 kg.

Forca e trurit

Siç u tha edhe më lartë, inteligjenca nuk varet, as nga pesha e as nga vjetërsia e trurit. Njeriu mund të arrij rezultate fenomenale në moshë shumë të re dhe shumë të vjetër. P.sh. Gogeni filloi të merret me art pas moshës 30-vjeçare. Mikelangelo, veprat më madhështore i krijoi në moshën 80-vjeçare. Edhe Pikaso veprat më të mëdha i krijoi në vitet e 90 të jetës.

Aleksandri i Madh i Maqedonisë i njihte me emër të gjithë ushtarët e tij. Mitroditi ka sunduar mbi 22 popuj dhe ka biseduar me të gjithë pa përkthyes. Kinej Cynes, delegat i mbretit Pirro, për një ditë i mësoi të gjithë emrat e anëtarëve të senatit dhe të shumë njerëzve të tjerë të Romës, me të cilët u takua. Filozofi dhe mjeku arab, Ibun Sina, shekulli X, që në moshën 10-vjeçare e recitonte Kur'anin përmendësh, ndërsa në moshën 14-vjeçare edhe të gjitha veprat e Aristotelit. Shkrimtari spanjoll, Alfonso Tostado, shekulli XV, kishte memorie fantastike: secilin libër që e lexonte dy herë, mund ta përsëriste fjalë për fjalë. Moxarti që në moshën 14-vjeçare, në kishën e Shën Pjetrit në Romë, mbante mend gjatë kohës së interpretimit gjithë muzikën e një muzikanti të madh, notat e së cilës ruheshin në fshehtësi. Indiania, Shakuntala Devi ishte për gjashtë sekonda më e shpejtë se kompjuteri në zgjidhjen e një problemi të ndërlikuar matematikor (është fjala për vitet 80) etj.

Gjithashtu, truri i madh ndahet edhe në dy pjesë: e majta dhe e djathta, kështu që secila anë e trurit kontrollon pjesën e kundërt të trupit: pra, në qoftë se dëmtohet ana e majtë e trurit, pëson paralizë pjesa e djathtë e trupit dhe anasjelltas.

Kërkimet më të reja nga profesoresha Roberta Ornshtajn, japin dritë më tepër në aktivitetin e këtyre dy pjesëve të trurit. Pjesa e majtë e trurit drejton aktivitetet shkencore: matematikën, logjikën, analizën etj., ndërsa pjesa e djathtë drejton aktivitetet artistike: ngjyrat, muzikën, ritmin, fantazinë etj.

Sipas Ornshtajn-it, njerëzit që janë mësuar ta shfrytëzojnë njërën anë të trurit, e kanë vështirë ta shfrytëzojnë edhe pjesën tjetër. Është interesante se kur njëra anë e trurit dëmtohet, atëherë e gjithë forca kalon në anën tjetër. Por në qoftë se shfrytëzohen të dy pjesët e trurit, shumëfishohet aftësia deri në gjenialitet.

Hulumtimet tek njerëzit, të cilët zakonisht konsiderohen artistë ose shkencëtarë të mëdhenj dhe supozohet se kanë shfrytëzuar te dy pjesët e trurit, japin këto rezultate: Ajnshtajni konsiderohet si shkencëtari më i madh i kohës së vet. Ai nuk ishte vetëm matematikan apo fizikan, por edhe ëndërrues i madh, i cili për ëndërrimet gati sa nuk u përjashtua nga kolegji. Sipas fjalëve të tij, Teorinë e relativitetit nuk e zbuloi, duke punuar në tavolinë, por i shtrirë, duke shikuar diellin me sy gjysmë të mbyllur. Rrezet e diellit, duke kaluar nëpër qepalla, oscilonin duke u shpërndarë në mijëra rrezatime të imëta. Ajnshtajni pyeti veten se si do të dukej udhëtimi në një nga ato rreze të diellit. Kështu, fantazia e çoi deri në atë vend, ku njohuria shkollore nuk e lejonte të shkonte, por imagjinata (ana e djathtë e trurit) dhe njohuritë shkencore (ana e majtë e trurit) e çuan atë deri te zbulimi më i rëndësishëm i të gjitha kohërave - Teoria e Relativitetit.

Pikaso, një ndër piktorët më të njohur të kohës së sonë, tregon se në mënyrë matematikore dhe gjeometrike e ka përshkruar atë që ka dashur ta punojë, duke paraqitur me detaje marrëdhëniet specifike, të cilat ka pretenduar t'i krijojë me ngjyrë, formë dhe vijë.

Ndoshta rasti më i mirë për ilustrimin e forcës së përbashkët të dy pjesëve të trurit do të ishte Leonardo da Vinçi, një ndër kokat më kreative të të gjitha kohërave, i cili ishte: matematikan, linguist, artist, anatomist, arkitekt etj. Supozohet se Leonardo me njërën dorë ka vizatuar, ndërsa me tjetrën ka shkruar shënimet e tij. Ekspertët që janë marrë me punimet e Leonardos, thonë se për t'i përmbledhur të gjitha punimet e tij, një njeriu i duhet 40 vite punë e pandërprerë, nga tetë orë në ditë dhe atë, me njërën dorë të shkruaj, ndërsa me tjetrën të vizatojë.

Siç pamë edhe më lart, kapaciteti i trurit është i pakufishëm. Sa është i pakufishëm aq është edhe i pazbuluar dhe misterioz ose me fjalë të tjera, truri është i vetmi organ që studion vetveten.

Konsiderohet se truri është një ndër krijesat më të ndërlikuara dhe më të çuditshme të natyrës në tokë dhe se është fare pak i shfrytëzuar. Sipas Prof. Toni Bizen, trurin e kemi në funksion vetëm 1%, ndërsa Karl Shishar jep mendimin se vetëm 10% e trurit shfrytëzohet, kurse pjesa tjetër (90%) është një gjigant i fjetur. Ndërsa sipas njohurive më të reja, supozohet se ne shfrytëzojmë vetëm 4% nga numri i përgjithshëm i qelizave nervore.

Nga gjithë kjo që u tha, del se truri posedon kapacitet të pamatur, të cilin asnjë tru elektronik, së paku deri më sot, nuk mund ta arrijë. Ai mund të pranoj (teorikisht) deri në 10 15% të mendimeve. Se sa është mundësia e pamatur e pranimit të informacioneve mund ta kuptojmë vetëm përmes rrugës së krahasimit figurativ. Për t'u numëruar kjo madhësi e informacioneve, një njeriu i duhen 30 milion vjet punë të pandërprerë, ditë e natë, me shpejtësi: një informacion për një sekondë; ose nëse e paramendojmë se secila pjesë e mendimeve ose çdo informacion është në madhësinë e një kokrre gruri, atëherë kjo masë e pamatur e grurit do të mund të vendosej në një depo, e cila do të kishte lartësinë 3 metra, gjerësinë 5 metra dhe gjatësinë 4500 km.

Në koren e trurit, mendohet se ekzistojnë rreth 15 miliard qeliza, të cilat po të vendosen në një varg të pandërprerë, do të formonin gjatësinë rreth 100.000 km.

Se si funksionojnë ato qeliza në tru, me biliona lidhjesh mes tyre ndoshta kurrë nuk do të zbulohet.

Historia e zhvillimi i trurit

Siç e pamë edhe më lart, truri ka tërhequr vëmendjen e njeriut që nga lashtësia. Sipas shënimeve historike, truri për herë të parë përmendet në një papirus, të cilin historianët e mjekësisë e konsiderojnë si librin më të vjetër mjekësor në botë.

Ky papirus edhe u emërtua si "Papirus Edvin Smith", sipas emrit të personit, i cili e gjeti në Ksar (Egjipt) më 1862. Supozohet se është shkruar rreth vitit 1700 p. e. s. (1200 vjet para Hipokratit, babait të mjekësisë, në formulën e të cilit edhe sot e kësaj dite betohen mjekët e rinj para se ta fillojnë këtë profesion).

Truri përmendet edhe tek grekët e vjetër, si tek Hipokrati, Aristoteli, Platoni etj., por edhe më vonë, në shkollën e Alkesandriesë, 335 - 285 p. e .s., Herofili dhe kolegu i tij Erazistrati, filluan të merren në mënyrë sistematike me trurin dhe që atëherë zbulimet për trurin përparojnë ngadalë nëpër shekuj deri në ditët tona.

Përsosja e pjesëve të posaçme të trurit, tek organizmat shtazorë gjatë evolucionit, vështirë mund të shpjegohet, edhe pse evolucioni i shqisave organike ka filluar mjaft herët, që në kohën kur janë formuar organizmat njëqelizorë.

Mund të thuhet se tek shqisat organike ekziston një substancë, e cila ka rolin e baterisë për shndërrimin e rrezeve të marra në energji elektrike me forcë të ulët. Të gjitha kërkimet për sistemin e komunikimit nëpërmjet sinjaleve biologjike (impulseve) te organizmat shtazorë, vërtetojnë se komunikimi kryhet posaçërisht nëpërmjet impulseve bioelektrike. Përshtypjet e jashtme mbarten nëpërmjet shqisave (në formë fotografish) në qendrat përkatëse, ku një pjesë e tyre mbeten përgjithmonë lidhje biokimike. Pra, shqisat, jo vetëm të njeriut, por edhe të shumë gjallesave tjera, nuk janë gjendje metafizike, por procese biokimike. P.sh. pa kujtesën organizmat shtazorë nuk do të bënin shumë dallime.

Zbulohen zonat e trurit ku lindin shijet

Zbulohen katër zonat e trurit ku gjenden neuronet që mundësojnë dallimin e shijeve të ëmbëlsirave, të kripurave, të hidhurave, të thartave dhe umami (e ashtuquajtura shija e pestë).

Zbulimi është bërë për herë të parë në trurin e miut nga disa kërkues amerikanë të koordinuar nga “Howard Hughes Medical Institute” i Nju Jorkut.

Ndërkohë në një artikull në “Science” është rindërtuar harta e parë e shijes për trurin e gjitarëve.

Zbulohen substancat që plakin trurin

Disa ditë më parë janë zbuluar në “gjakun plak” substancat që plakin trurin: një prej tyre, e izoluar në gjakun e minjve të moshuar, quhet “eotaxina” dhe rezulton në sasi të madhe edhe në gjakun dhe lëngun cerebrospinal të personave të moshuar.

Prezenca e saj në gjak shkakton një pakësim të memories, tipike në “moshën e tretë”.

I bërë publik tek “Nature”, zbulimi i përket kërkuesve të Stanford University në Kaliforni.

Prodhohen embrione transparente të miut

Embrione transparente të miut si ektoplasma janë krijuar në laboratorët japonezë të Institutit të Neuroshkencës “Riken di Wako”, në afërsi të Tokios.

Imazhet në 3D, të publikuara në Nature Neuroscience, të japin mundësi të shikosh nëpërmjet trurit të tyre deri në identifikimin e enëve të caktuara të gjakut dhe strukturave nervore.

Rezultati është arritur falë trajtimit me një reagent të ri nga laboratori që bën transparent lëndën biologjike.

Nëpërmjet këtij eksperimenti do të bëhet e mundur studimi i trurit deri në strukturat nervore më të imëta të tij, në mënyrë për të kuptuar sa më mirë funksionimin apo identifikuar shkaqet e sëmundjeve që prekin këtë organ.

Truri përmirësohet me kalimin e kohës

Sa më shumë plakemi, aq më shumë bëhemi të zgjuar.


Kjo gjë pak a shumë dihej, por lajmi është se truri ynë përmirësohet me kalimin e kohës. Është e vërtetë që pakësohet sasia e lëndës gri dhe ngadalësohet arsyetimi, por është e vërtetë edhe që mendohet më mirë.

Një kërkim shkencor nga Universiteti i Montrealit ka vënë përballë dy grupe personash: një grup të përbërë prej personash nga 55-75 vjeç dhe një grup tjetër të përbërë nga të rinj. Të gjithëve u është dhënë një test.

U vu re që të rinjtë aktivizonin më shpejt zonat e duhura të trurit, por ishin të moshuarit ata që u përgjigjën drejtë edhe pse pak më vonë.

“Truri i vjetër e di që nuk duhen marrë vendime të nxituara. Gjithashtu ka më shumë besim në vetvete dhe nuk ka frikë nga kritikat”, shprehet profesori Oury Monchi, i cili ka udhëhequr kërkimin.

Sipas një studimi anglez, në moshën 45-vjecare nis rënia e kapacitetit për të arsyetuar dhe memories. Rënia shënohet në masën 3.9 për qind dhe nis tek burrat e gratë përkatësisht në moshën 45 e 49 vjec.

Nga studimi i Universitetit të Londrës u vërtetua se goditjet vijnë më shpejt se parashikimet. Truri jonë nis rënien më herët, jo në moshën 60-vjecare sic ishte parashikuar në një studim të mëparshëm që mbështetej mbi shumë kërkime shkencore.

Nisja 15 vjet përpara e plakjes së trurit fillon me humbjen e kapaciteteve për të memorizuar objektet, fjalët apo sjelljet e arsyetimet, ishin rezultatet që nxorri kërkimi i publikuar në Gazetën British Medical.

Sipas kërkimit shkencor aktiviteti i arsyetimit dhe memoria në rënie bie rreth 3,6% tek burrat e gratë përkatësisht në moshat 45 e 49 vjec.
Situata përkeqësohet me kalimin e viteve, ku rënia arrin 9.6 % tek burrat në moshën 65 e 70 vjec, por që ndalon tek femrat me të njëjtën moshë në masën 7.4.
Kërkimet e Universitetit të Londrës kanë provuar testin në 7 mijë persona, (5.198 burra dhe 2.192 gra që pranuan me vullnetin e tyre testimin) për 10 vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe, shkencëtarët kanë hetuar këta persona me prova në memorie, si zotërim të fjalorit, kujtesës apo arsyetimit. Rezultati është se mosha në të cilën shënohet pragu i rënies së kujtesës ishte shumë më afër se nga mosha që dihej më parë.

Në dritën e rezultateve të kërkimit, sipas ekspertëve anglezë tani duhet të punohet në mundësinë për të parandaluar këtë duke luftuar faktorët që ndikojnë në këtë plakje të trurit.
 
Back
Lartë