• PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.
  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Mirë se vini në forumin Takohu 👋 - një vend ku bisedat rriten natyrshëm, ashtu si një komunitet i gjallë. Ne jemi të gjithë për të krijuar një hapësirë të relaksuar, mikpritëse ku idetë, historitë dhe debatet lidhin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Bashkohuni me korijen. Filloni një fije. Të shohim se ku na çon biseda.

“Nëse qeveria do të donte vërtetë të dëshmonte vlerësim për LANÇ”

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
LV
0
 
Në këtë intervistë botuar sot në DITA, Fatos Tarifa ndan të njëjtat shqetësime me historianët Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi mbi përpjekjet për të revizionuar historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

“Është tërësisht e vërtetë se historia e çdo populli nuk shkruhet vetëm një herë, ajo rishkruhet, por jo sa herë që ndërrohen partitë politike në pushtet, siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri. Nga ana tjetër, ka të vërteta historike që nuk revizionohen dot lehtë veçse nëse me revizionim do të kuptonim falsifikimin e historisë. Në Shqipëri, ashtu si kudo në Europë dhe në mbarë botën, e vërteta e madhe e Luftës së Dytë Botërore është shkruar e pranuar thuajse në mënyrë universale. Të kërkosh ta “revizionosh” atë luftë, do të thotë ta mohosh atë” – thotë Tarifa.

I pyetur nëse konferenca e fundit e Akademisë së Shkencave ka bekimin e qeverisë, e cila këto ditë përpiqet ta mohojë me nervozizë,, profesor Tarifa thotë:

“Bekimin e qeverisë nuk e di, por fonde nga paratë e taksapaguesve shqiptarë padyshim që po” – duke shtuar se “historia dhe studimi i saj kanë një rëndësi politike të jashtëzakonshme. Siç thotë Orwell “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen”.

Më poshtë intervista botuar sot në DITA. Me z.Tarifa bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:




Kopertina e sotme e gazetës Dita


Profesor, dy ndër historianët tanë më të njohur, Prof. Milo dhe Prof. Xhufi, janë shprehur pardje dhe dje në këtë gazetë se e kundërshtojnë idenë e organizimit nga Akademia e Shkencave, në nëntor të këtij viti, të një konference në përkujtim të 75 vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit fashistë e nazistë. Sipas tyre, një konferencë e tillë, gjykuar nga platforma e saj, e publikuar pak ditë më parë, synon revizionimin e historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të përmbajtjes së vërtetë të saj. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ta apo mendoni ndryshe?

Unë ndaj të njëjtat shqetësime që i kanë shprehur qartë dy kolegët e mi të nderuar, Prof. Milo dhe Prof. Xhufi, dhe nuk u heq asgjë argumenteve që ata kanë formuluar për synimet e shpallura ose të pashpallura të asaj konference. Përpjekjet për të revizionuar historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në vendin tonë nuk janë të reja. Ato do të vazhdojnë edhe më tej, por unë besoj se një ngjarje historike e tillë, e madhe dhe e lavdishme, pavarësisht përpjekjeve që janë bërë e mund të bëhen për ta paraqitur atë në një dritë të shtrembër, nuk mund të kenë sukses.

Por, dikush mund të thotë se e vërteta historike, si çdo e vërtetë tjetër, është relative dhe, si e tillë, mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

Sado relative të jetë, e vërteta historike dallon nga gënjeshtra, nga e pavërteta. Dhe e vërteta e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare mund të përmblidhet, me pak radhë, si më poshtë:

Më 7 prill 1939, Shqipëria, e braktisur dhe e grabitur nga mbreti i vetshpallur i saj, Ahmet Zogu, u pushtua nga Italia fashiste. A nuk është kjo ngjarje historike tërësisht e vërtetë?

Fill pas pushtimit, një numër patriotësh antifashistë shqiptarë organizuan një rezistencë popullore kundër ushtrisë së Musolinit, por kjo rezistencë, e dobët dhe sporadike në fillim, u organizua në formën e një lëvizjeje dhe të një lufte të vërtetë Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shtri në të katër anët e vendit, vetëm nga Partia Komuniste e Shqipërisë, një forcë politike, e cila, jo rastësisht, u krijua në vitet e para të Luftës, por u rrit dhe u konsolidua gjatë saj, vetëm e vetëm për shkak të rolit të saj në atë luftë. A nuk është edhe ky një fakt historik i vërtetë, siç është i vërtetë edhe fakti se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, partitë komuniste kanë luajtur një rol kryesor në organizimin e lëvizjeve të rezistencës e të luftës antifashiste pothuajse në të gjithë vendet e pushtuara nga ushtritë fashiste e naziste (në Francë, në Greqi, në Çekosllovaki, në Jugosllavi etj.)?

Me kapitullimin e Italisë fashiste, duke filluar nga shtatori i vitit 1943, vendin e pushtuesve italianë e zunë dy divizione naziste, me rreth 60 mijë ushtarë. Ky ishte një kontigjent pushtuesish nazistë mjaft i madh dhe mjaft mirë i armatosur për vendin më të vogël të Ballkanit, çka i bënte edhe më të vështira rezistencën dhe luftën e popullit tonë kundër tyre. A nuk është edhe ky një fakt historik i vërtetë?

E vetmja forcë e organizuar politike e ushtarake që luftoi kundër pushtuesve nazistë në atë Luftë të Madhe ishte Ushtria Antifashiste Nacionalçlirimtare, e krijuar, e organizuar dhe e drejtuar nga PKSH. Edhe nëse ka njerëz që këtë të vërtetë përpiqen ta mohojnë, ose ta revizionojnë, burimet dokumentare të kohës, përfshirë edhe ato të aleatëve amerikanë dhe anglezë, e vërtetojnë qartësisht këtë.

Një libër i jashtëzakonshëm, shkruar nga miku ynë i përbashkët, Peter Lucas, The OSS in World War II Albania: Covert Operations and Collaboration with Communist Partisans (2007), të cilin ju e keni përkthyer dhe botuar në shqip, dokumenton fare qartë se, qysh nga fillimi i veprimtarisë së tij në Shqipëri, në vjeshtë të vitit 1943, misioni amerikan i OSS-së (Office of Strategic Services, pararendësja e CIA-s), ishte i udhëzuar që të bashkëpunonte dhe të ndihmonte të gjitha ato forca politike që ishin të gatshme të luftonin – dhe që në fakt luftonin – kundër nazistëve.

Meqenëse e vetmja forcë që u angazhua seriozisht – dhe vendosmërisht – në luftën kundër formacioneve naziste ishte Ushtria Antifashiste Nacionalçlirimtare, dokumentet amerikane dëshmojnë se të pesë misionet sekrete amerikane të OSS-së, që u dërguan në Shqipëri nga nëntori i vitit 1943 deri në mbarim të Luftës, u atashuan pranë Shtabit të ushtrisë partizane dhe bashkëpunuan me të. A mund ta mohojë kush këtë fakt, që e dëshmojnë vetë dokumentet zyrtare të Uashingtonit? Disa autorë anglezë, si Anthony Quayle, Reginald Hibbert, Julian Amery apo David Smiley, në kujtimet e tyre për veprimtarinë e misioneve angleze dhe amerikane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dëshmojnë të njëjtën gjë.

Që drejtuesit e Ballit Kombëtar dhe formacionet e armatosura të asaj organizate nuk luftuan kundër pushtuesve nazistë por bashkëpunuan me ta, kjo, gjithashtu, është një e vërtetë që deri më sot nuk e ka vënë askush në dyshim.

Dikush mund të thotë, madje ka njerëz që e thonë këtë, se lufta e Ballit Kombëtar kundër formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe bashkëpunimi i eksponentëve të asaj organizate me pushtuesit nazistë u bënë në emër të antikomunizmit! Ç’përgjigje do u jepnit njerëzve të tillë?

Një përgjigje fare të thjeshtë: Në Luftën e Dytë Botërore, fuqia më e madhe kapitaliste, demokratike dhe antikomuniste e globit, Amerika, u lidh në aleancë me fuqinë më të madhe komuniste, Bashkimin Sovjetik, kundër një rreziku të përbashkët, Gjermanisë Nazistë dhe fuqive të tjerat të Boshtit.

Thamë më sipër se historia nuk shkruhet kurrë në mënyrë përfundimtare. Shkencat (dhe historia si njëra ndër to), ofrojnë vetëm të vërteta relative. Kjo mund të thuhet edhe për periudhën në shqyrtim, apo jo?

Është tërësisht e vërtetë se historia e çdo populli nuk shkruhet vetëm një herë, ajo rishkruhet, por jo sa herë që ndërrohen partitë politike në pushtet, siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri. Kohë të reja mund të zbulojnë fakte të reja historike dhe faktet e reja mund të bëjnë të domosdoshëm rivlerësimin dhe rishkrimin e historisë së një populli.

Po kështu, kuptimi ynë mbi të kaluarën nuk është dhe s’mund të jetë kurrë tërësisht i saktë dhe përfundimtar, por është në një “fluks të vazhdueshëm”. Për këtë arsye, merita e historianëve është që, kurdoherë që është domosdoshme dhe e mundur, ta paraqesin historinë në një dritë të re për ta kuptuar më mirë atë.

Por, që dikush, nisur nga konsiderata ekstra-akademike, të pretendojë se historia duhet doemos të rishkruhet, pa zbuluar dhe pa sjellë ai vetë, ose studiues të tjerë, asnjë fakt të ri që do të përgënjeshtronte trajtimin e derisotëm të ngjarjeve apo të periudhave të caktuara historike, kjo do të ishte një aventurë, së cilës çdo popull dhe çdo historian i mençur do të duhej t’i shmangej.

Nga ana tjetër, ka të vërteta historike që nuk revizionohen dot lehtë veçse nëse me revizionim do të kuptonim falsifikimin e historisë. Revizionimi që synohet t’i bëhet historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimate të popullit tonë nga disa studiues dhe politikanë, në fakt, ka për qëllim që të mohojë vlefshmërinë e të dhënave historike që dokumentojnë ngjarjet më kryesore të asaj periudhe, madje edhe vetë përmbajtjen e asaj Lufte të Madhe, duke e cilësuar atë si një luftë civile për pushtet mes komunisëve dhe forcave “atdhetare”, të përfaqësuara nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti.

Por a nuk ishte ajo luftë edhe një luftë civile?

Përleshja mes forcave politike kundërshtare për të marrë pushtetin duhet vlerësuar gjithmonë në kontekst historik. Kjo përleshje nuk ka të njëjtin kuptim e qëllim në një vend të pushtuar nga një ushtri e huaj siç do të kishte në një vend të papushtuar. Kur një vend është i pushtuar nga një fuqi e huaj, forcat politike brenda tij dallohen dhe ndahen qartazi në dy grupe: në ato forca politike që luftojnë për çlirimin e vendit nga pushtuesi i huaj, dhe ato forca që bashkëpunojnë me pushtuesin duke iu kundërvenë pjesës më të madhe të bashkëkombësve të tyre.

Në një luftë nacionalçlirimtare mund të mbahen vetëm dy qëndrime: ose kundër pushtuesit, ose me të. Rrugë të mesme nuk mund të ketë. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se lufta mes Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe formacioneve të armatosura balliste ishte një luftë brenda Luftës, një luftë forcash kundërshtare, të cilat, në raport me pushtuesit fashistë e nazistë, ishin pozicionuar në dy krahë të kundërt – ushtria partizane luftonte për çlirimin e vendit, ballistët u rreshtuan në një front me pushtuesit dhe kundër çlirimtarëve të vendit.

A nuk mendoni se në këtë mënyrë ju justifikoni, ose legjitimoni ardhjen në pushtet, pas përfundimit të luftës, të Enver Hoxhës në krye të Partisë Komuniste?

Nuk ka dyshim se, pavarësisht rolit shumë të rëndësishëm që Partia Komuniste dhe udhëheqësi i saj, Enver Hoxha, kanë luajtur gjatë Luftës, Hoxha kishte qëllime të tjera nga ato të anglezëve dhe të amerikanëve në atë luftë. Aleatët donin të fitonin një luftë me gjermanët; Enver Hoxha, gjithashtu, donte të fitonte luftën kundër nazistëve, por, në të njëjtën kohë, atij i duhej të fitonte edhe një luftë kundër Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, për t’u hequr këtyre forcave politike çdo mundësi ose pretendim për të ardhur në pushtet pas luftës.

Përsa i përket legjitimimit të pushtetit komunist pas luftës, këtë e kam trajtuar gjerësisht në studimin tim Kërkimi i legjitimtetit dhe venitja e utopisë. Në Shqipëri, një vend që u çlirua pa ndërhyrjen e Ushtrisë së Kuqe, komunistët e morën pushtetin pa ndihmë nga jashtë. Kjo është e vërtetë edhe për Jugosllavinë, e cila, në mbarim të luftës, nuk u vu nën sundimin sovjetik. Në këta dy vende, partitë komuniste ishin të vetmet forca politike që e kundërshtuan dhe iu kundrërvunë pushtimit fashist nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore deri në fund të saj

Si në Jugosllavi, dhe në Shqipëri, komunistët organizuan dhe drejtuan lëvizje të fuqishme partizane, ndërkohë që forca të tjera politike – çetnikët në Serbi, në Malin e Zi dhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë dhe ballistët e legalistët në Shqipëri – bashkëpunuan me pushtuesit e huaj dhe u mundën bashkë me ta.

Fryma partizane e kohës së Luftës dhe aspekti nacionalçlirimtar i saj krijuan, si në Jugosllavi, dhe në Shqipëri, parti komuniste të forta e të mbështetura gjerësisht nga masa e popullsisë. Përveç kësaj, vakumi politik që u krijua në këta dy vende pas Luftës së Dytë Botërore kontribuoi në mënyrë vendimtare në marrjen e menjëherëshme të pushtetit nga partitë komuniste.

Këtu duhet marrë në konsideratë edhe udhëheqja karizmatike e Josif Broz Titos dhe e Enver Hoxhës, gjë që, sidomos në periudhën postrevolucionare në mbarim të Luftës, luajti një rol të rëndësishëm, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme për legjitimimin e pushtetit dhe të autoritetit politik të tyre. Këta faktorë patën një rëndësi të madhe si në krijimin e bazës së legjitimitetit për regjimet komunistë të Titos dhe të Hoxhës, ashtu dhe në përcaktimin e rrugëve të tyre ikonoklastike në dekadat që pasuan.

Të mbetemi në periudhën e Luftës dhe në përpjekjet që bëhen sot për revizionimin e saj.

Më thoni, ju lutem, si mund të revizionohen të vërtetat (e dokumentuara gjerësisht), për të cilat fola më sipër? Edhe pse historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si çdo periudhë tjetër e historisë sonë kombëtare (përfshirë edhe historinë gjysmëshekullore të diktaturës së proletariatit dhe tri dekadat e fundit të periudhës postkomuniste) ka nevojë të studiohet më thellë e më mirë, unë mendoj se, në Shqipëri, ashtu si kudo në Europë dhe në mbarë botën, e vërteta e madhe e Luftës së Dytë Botërore është shkruar e pranuar thuajse në mënyrë universale.

Të kërkosh ta “revizionosh” atë luftë, do të thotë ta mohosh atë. Në mënyrë të ngjashme kanë vepruar, gjatë 3-4 dekadave të fundit, disa autorë, të cilët, në emër të “revizionimit” të Holokaustit, kanë arritur deri atje sa ta mohojnë atë. Gjeneza e mohimit të Holokaustit mund të kërkohet te gjuha burokratike e vetë politikës naziste, e cila u përpoq që të kamuflonte qëllimin e vërtetë të gjenocidit, të cilin nazistët e quanin “Zgjidhja Përfundimtare e Çështjes së Hebrenjve”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ish-nazistët dhe simpatizantët e tyre nuk i pranuan provat dërrmuese të Holokaustit, të ekzpozuara në Gjyqin e Nurembergut mbi krimet e luftës. Sidoqoftë, si një lëvizje propagandistike e organizuar, “revizionimi” i Holokaustit nisi në vitin 1979, kur Willis Carto, themelues i Lobit të Lirisë, organizatës më të madhe të propagandës kundër hebrejve në Shtetet e Bashkuara, themeloi Institutin e Rishikimit të Historisë.

Unë dëshiroj të shprehem hapur dhe qartë lidhur me këtë çështje. Ajo që duket se po ndodh sot në Shqipëri me disa “historianë” dhe individë të veshur me pushtet i ngjan lëvizjes së viteve 1980 (por që vazhdon edhe sot) në qarqe të caktuara në disa vende, të cilësuar si “Revizionim i Holokaustit”. Qëllimi i tyre ishte dhe mbetet të sfidojnë vlefshmërinë e të dhënave historike që dokumentojnë Holokaustin, të gjitha ngjarjet që lidhen me të, si dhe vetë ekzistencën e këtij episodi të kobshëm historik.

Këtë duket se përpiqen të bëjnë edhe në Shqipëri ata që kërkojnë të mohojnë vlerat e çmuara antifashiste të popullit tonë, të dëshmuara me shumë dinjitet gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Profesor Tarifa, ju edhe më parë, në mjaft raste, madje edhe duke polemizuar me kryeministrin e vendit, z. Rama, jeni shprehur për rrezikun që paraqet ndërhyrja e politikës në trajtimin e historisë sonë kombëtare. A mendoni se konferenca që Akademia e Shkencave ka njoftuar se do të organizojë në muajin nëntor padrejtësisht ka marrë bekimin e qeverisë?

Bekimin e qeverisë nuk e di, por fonde nga paratë e taksapaguesve shqiptarë padyshim që po. Historia dhe studimi i saj kanë një “rëndësi politike të jashtëzakonshme”. Platoni thoshte se “ata që shkruajnë historinë, sundojnë shoqërinë”. Pierre Bourdieu, në analizën që i bënte prodhimit kulturor dhe kapitalit simbolik, argumentonte se monopoli i së drejtës për të formuluar përcaktime zyrtare nënkupton edhe “përdorimin e legjitimuar të dhunës fizike dhe simbolike”.

A nuk thoshte George Orwell se “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen dhe kush kontrollon të sotmen, kontrollon të kaluarën”? Kjo shpjegon përse politikanët, kudo dhe kurdoherë, pra edhe në Shqipëri, si dje dhe sot, janë përpjekur e përpiqen që t’i falsifikojnë faktet historikë dhe t’i interpretojnë ngjarjet historike sipas interesave të tyre. “Gënjeshtra mbi faktet historikë dhe shkatërrimi i provave”, shkruante Ludvig von Mises, “ka qenë për shumë shtetarë, diplomatë, politikanë dhe shkrimtarë pjesë legjitime e ushtrimit të pushtetit…

Falsifikuesit shpeshherë janë shtyrë nga dëshira për të justifikuar veprimet e tyre, ose të partisë së tyre nga këndvështrimi i interesave të atyre grupeve shoqërorë, mbështetjen e të cilëve ata kanë dashur të fitojnë, ose të grupeve që ata kanë dashur të neutralizojnë… Një ndër detyrat kryesore të kërkimeve historike është pikërisht të zbulojnë falsifikime të tilla”.

Për shkak se rivlerësimi i historisë kombëtare të çdo vendi, ose i periudhave të caktuara të saj, ka qenë dhe mbetet një temë filozofikisht shumë e ndërlikuar dhe politikisht shumë sensitive, shumë prej atyre (në radhë të parë historianë), që do të duhej të flisnin e të shkruanin për këtë çështje, kanë preferuar deri më sot të heshtin në vend që të prononcohen publikisht. Prof. Xhufi, Prof. Milo, Dr. Moikom Zeqo, Dr. Marenglen Kasmi, Bedri Islami dhe ndonjë tjetër bëjnë përjashtim.

Unë nuk jam historian dhe nuk shkruaj si historian, por historia e një kombi nuk është pronë as e historianëve, as e politikanëve. Të parët janë studiuesit dhe shkruesit e saj dhe duhet të jenë këta, pra historianët, që zbulojnë të vërtetat historike dhe garantojnë mbrojtjen e tyre nga çdo falsifikim dhe nga çdo përpjekje për t’i revizionuar ato. Politikanët, nga ana e tyre, nuk kanë asnjë të drejtë të ndërhyjnë në interpretimin e historisë, ndërkohë që, në Shqipëri, kjo është pikërisht ajo çka ata kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë, madje me shumë zell, për dekada me radhë. Politikanët kanë për detyrë të përmirësojnë të sotmen dhe të planifikojnë të nesërmen e popullit të tyre, jo të udhëzojnë se si duhet interpretuar e djeshmja.

Interpretimi dhe rishkrimi i historisë së një kombi janë çështje shumë serioze dhe, si të tilla, duhen vlerësuar shumë seriozisht. Platforma e konferencës së ardhshme gjoja akademike (në fakt thjesht jubilare) të Akademisë së Shkencave mbi “antifashizmin popullor, pa armë dhe pa uniformë”, me sa kuptoj nga ajo çfarë është bërë publike deri më sot, nuk premton t’i kontribuojë ndonjë element të ri me vlerë paradigmës ekzistuese mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë.

Mos doni të thoni me këtë se Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si institucion, nuk e ka aftësinë ta bëjë këtë?

Kjo është një temë më vete; le të mos flasim sot për këtë. Por më lejoni të them këtë: Cilësia e Akademisë së Shkencave nuk mund të jetë më e mirë sesa cilësia e universiteteve tona dhe cilësia e këtyre të fundit nuk mund të jetë më e mirë sesa cilësia e institucioneve që e administrojnë dhe e drejtojnë këtë vend dhe kanë në dorë fatet e qytetarëve – partitë politike, parlamenti, qeveria, gjykatat.

Por, ndërsa 75 vjetori i çlirimit të vendit po afron, a nuk duhet që kjo ngjarje e madhe historike të studiohet e të përkujtohet edhe nga historianët tanë?

Më thoni, ju lutem, cilët anëtarë të Akademisë së Shkencave janë historianë? Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk mund të studiohet në tre muaj që kanë mbetur deri në mbajtjen e asaj konference. Studimi i saj dhe i çdo epoke historike është një detyrë e përhershme dhe duket bërë me shumë përgjegjësi.

Nëse qeveria shqiptare do të donte vërtetë të dëshmonte vlerësimin e saj për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ajo mund të dëshmonte më shumë vlerësim e respekt për statusin e veteranëve të asaj lufte që ende janë gjallë (siç bëjnë qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Hollandës dhe vendeve të tjerë), si dhe të kujdesej me më shumë përkushtim për mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve të asaj Lufte të Madhe në Tiranë dhe në të gjithë vendin.



****

Botuar në Dita. Të gjitha të drejtat, e rezervuara. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
 
Back
Lartë